Pas arrestimit të 20-vjeçarit Ervis Brasha në Tiranë, i cili u kap i veshur me uniformë policie, janë zbuluar detaje të reja që tregojnë se i riu ishte përfshirë në një veprimtari të gjerë mashtruese, duke u prezantuar si punonjës policie për më shumë se një vit.
Burime të brendshme pranë Policisë bëjnë me dije se Brasha kishte krijuar kontakte të shumta me punonjës të vërtetë të policisë, prezantohej te ta si koleg dhe shpesh publikonte foto brenda ambienteve të institucioneve shtetërore, Komisariate, Drejtori Policie e Akademi Sigurie, i veshur me uniformë.
Pak javë më parë ai ka qenë i pranishëm edhe në Pallatin e Kongreseve ku 852 të rinj e të reja zhvilluan testimin për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, ndërkohë prezantohej dhe vishej si polic.
Mësohet se Brasha, kishte njohuri të detajuara mbi organizimin e policisë, drejtuesit e komisariateve dhe ndryshimet e brendshme në strukturat e saj edhe pa u bërë publike ato. Për ta bërë sa më të besueshme "punën e tij; si polic, ripostonte çdo publikim të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, ndërkohë ndiqte të gjithë efektivët e këtyre strukturave.
Ka dyshime se i riu kishte arritur të bëhej pjesë e Policisë, edhe pse jo ligjërisht sipas procedurave, nëpërmjet një të afërmi të tij, i cili ende nuk është zbuluar dhe s'dihet kush mund të jetë. Ndërkohë për pjesën e uniformës, stemave, gradave apo kapeleve, ai i siguronte nëpërmjet policëve të vërtetë duke u "qarë hallin" atyre se ka mbetur pa uniformë dhe drejtuesit e kanë ndëshkuar me masë, për mungesën e uniformës.
"Përshëndetje për rastin e ati 20-vjeçarit, më ka shkruar edhe mua duke mu prezantuar si punonjës policie. Komunikimin e kishte tamam si polic dhe ditën kur kishin provimin me shkrim Patrulla e Përgjithshme, ai ishte aty përjashta Pallatit të Kongreseve i veshur me uniformë. Po më duket se ka një robin e vet të afërt punonjës policie dhe mendoj që mund t'ia ketë marrë apo t'ia ketë dhënë ai vetë. Bisedonte me punonjësit e policisë. Ai hidhte foto dhe në ambientet e komisariatëve Tiranës. Kishte informacione se si zhvillohet puna në strukturat policisë, se kush janë drejtorat dhe shefat e komisariatëve dhe çdo shef sektori. Unë duke menduar se është punonjës policie, jam në këtë sektor më thoshte do kaloj aty. Ka 1 vit që hiqet si polic, flisnim normalisht edhe për uniform, donte xhupa. Më tha që na u more masa për uniformat nuk e di nga e merr vesh ai. Më thoshte që tani brenda javës do lëvizin drejtorat dhe me emra. Ky ka diçka mesa kuptova unë, shkon tek faqja Policisë spo tek Akademia dhe i bën follow te gjithë. Ai bën repost çdo postim të policisë apo të Ministrisë së Brendshme."
Në llogarinë e tij në Instagram janë gjetur pamje të regjistruara brenda Akademisë së Sigurisë, ku ai shihet duke hyrë me automjet në ambientet e brendshme të institucionit, pavarësisht se hyrja lejohet vetëm me autorizim zyrtar. Ky fakt ka ngritur dyshime mbi mënyrën se si ka arritur të sigurojë akses në këto ambiente.
Gjatë kontrollit në banesën e Brashës, policia gjeti uniformë policie, 16 stema dhe grada të ndryshme, tre kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit, si dhe katër dokumente identifikimi me emra e fotografi të dyshuara si të falsifikuara.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse 20-vjeçari ka pasur bashkëpunëtorë brenda strukturave të Policisë së Shtetit dhe për të zbuluar mënyrën se si ka siguruar pajisjet dhe informacionet e brendshme.