Ditën e djeshme, Policia e Kamzës vuri në pranga një 20-vjeçar, i cili u kap duke lëvizur me automjetin e tij i veshur me uniformë dhe stema që ngjanin me ato zyrtare të Policisë së Shtetit.
Pas verifikimeve, u konstatua se i riu nuk ishte pjesë e strukturave të policisë dhe dyshohet se uniformën e kishte përdorur për t’u prezantuar si punonjës policie dhe për të mashtruar qytetarë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët gjetën dhe sekuestruan katër dokumente identifikimi me të dhëna dhe foto të dyshuara si të falsifikuara, një armë sportive, një uniformë policie, 16 stema dhe grada të ndryshme, si dhe tre kapele me shenja që imitonin ato të Policisë së Shtetit.
Burime nga Policia bëjnë me dije për JOQ ALBANIA se 20-vjeçari, i identifikuar si Ervis Brasha, që asnjë media s'ia ka përmendur emrin, kishte krijuar kontakte edhe me punonjës të vërtetë policie, duke u prezantuar si koleg. Ai thuhet se u ka shkruar atyre në rrjetet sociale dhe publikonte foto e video në institucione shtetërore, i veshur me uniformë policie, duke u shtirur si efektiv i rendit.
"Ky shtetas i shkruante punonjësve të Policisë edhe në rrjetet sociale, duke u prezantuar si koleg. Për më tepër, ai publikonte foto në institucione shtetërore, i veshur me uniformë policie, duke u shtirur si punonjës policie".
Po të njëjtat burime nga Policia bëjnë me dije se i riu ka publikuar në rrjetin e tij social, Instagram, pamje të regjistruara brenda Akademisë së Sigurisë duke hyrë me automjet në ambientet e brendshme të institucionit edhe pse hyrja është e mundur vetëm me autorizim zyrtar, çka ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si ai ka arritur të futet atje.
"Kam siguruar disa foto të personit edhe para parlamentit por zoteria kishte bërë edhe foto brenda Akademisë së Sigurisë me automjet, ku ajo çfarë të habit është fakti se për të hyrë në ambientet e Akademisë së Sigurisë duhet të kesh autorizim ose të jeshë vërtet punonjës Policie ose pjesë e stafit, ndërsa zotëria ka hyrë pa asnjë problem apo kontroll".
Mësohet se uniformat, gradat dhe stemat e përdorura nga 20-vjeçari rezultojnë origjinale, ndërsa vetëm dokumenti i identifikimit policor ishte i falsifikuar. Hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ai i ka përvetësuar këto materiale nga punonjës të policisë apo nëse është ndihmuar nga persona të tjerë. Pista tjetër që po hetohet lidhet me dyshimet se i riu mund të ketë përfituar para ose ushtruar presion ndaj qytetarëve, duke u prezantuar si punonjës policie, apo të ketë qenë i përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal nën këtë maskim.
"Atëherë, nga informacionet që kam, shtetasi në fjalë, duke përfituar nga uniforma dhe gradat drejtuese që mbante, mund të ketë përfituar para duke kërcënuar persona të ndryshëm. Aktualisht po hetohet nëse ai është përfshirë në veprimtari kriminale apo ka marrë pjesë në ndonjë ngjarje të tillë. Megjithatë, ajo që është për t’u habitur, është fakti se nga kush i ka marrë ato grada. Dhe ai dilte në rrugët e Tiranës me uniformë. Gjithcka ishte origjinale, asgjë imituese, përveç dokumentit të Policisë. Dokomenti i Policisë nuk ishte origjinal por imitim, gradat, stemat dhe uniformat janë origjinale, fallco aty është vetëm mjeti identifikues. Atëherë pa perjashtuar mundesinë që t'i ketë vjedhur, zotërisë i janë dhënë nga punonjës Policie ose ai është mbajtur nga ndonjë bandë kriminale duke u hequr si Polic në operacione për eleminime pasi zotëria ka mënyrë të rregullt komunikimi. Çka ngre dyshime te forta se ai është përfshirë në ngjarje të rënda kriminale dhe kjo pistë po hetohet".
Autoritetet theksojnë se po verifikohen të gjitha kontaktet dhe veprimet e tij, ndërsa materialet i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
