Ilir Prodës s’i dalin mirë llogaritë: 400 kursantë nisën trajnimin në AS, por 415 u certifikuan

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.10.2025, 13:22

Prej disa muajsh, JOQ Albania ka raportuar shqetësimet dhe pretendimet e vazhdueshme mbi manipulimet dhe ndikimet politike në Akademinë e Sigurisë, të cilat, sipas burimeve të brendshme, kanë cënuar procesin e përzgjedhjes dhe trajnimit të kursantëve të rinj në Policinë e Shtetit.

Në janar 2025, Policia e Shtetit publikoi një listë me 452 kandidatë fitues për kursin bazë të formimit për patrullë të përgjithshme. Megjithatë, për shkak të mungesës së kapaciteteve akomoduese në Akademi, vetëm 400 prej tyre nisën trajnimin më 23 janar. Policia njoftoi se 52 kandidatët e mbetur do të vazhdonin trajnimin më vonë gjatë vitit, me grupin e radhës (kursi XXI).

Por në gusht 2025, këtyre 52 fituesve, të cilët kishin kaluar të gjithë procesin selektiv, testin mjekësor, fizik, psikologjik, provimin me shkrim, intervistën dhe verifikimin e besueshmërisë, u është kërkuar të rifillojnë nga e para gjithë procesin e aplikimit duke u përfshirë në të njëjtin grup me aplikantët e rinj të konkursit të gushtit 2025, të cilët trajnimin do e nisin në janar 2026.

Megjithatë, ceremonia e djeshme e certifikimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë nxjerr në pah një tjetër problem të rëndësishëm.

Policia e Shtetit ka njoftuar zyrtarisht se 415 kursantë janë certifikuar për Patrullë të Përgjithshme në praninë e Ministres së Brendshme Albana Koçiu, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, dhe krerëve të tjerë të institucioneve të sigurisë.

Por nëse trajnimin e kanë nisur vetëm 400 kursantë dhe 52 të tjerët janë ende në pritje, lind pyetja: nga dolën 15 emra shtesë në listën e certifikuarve?

Një punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit thotë se nuk ka asnjë sqarim zyrtar për këta 15 kursantë shtesë. Sipas tij, prej vitesh brenda strukturave janë përfolur raste të futjes së individëve në sistem në mënyrë të jashtëligjshme, pa përfunduar trajnimin në Akademi – akuza që më parë janë konsideruar “zëra”, por që tani duket se kanë bazë reale.

Ai thekson se këta 52 persona janë futur fshehtas në programet praktike pa kaluar trajnimin e nevojshëm, teorik dhe praktik, duke dëmtuar rëndë besimin në institucion dhe duke injoruar plotësisht meritokracinë.

Në fund, punonjësi bën thirrje për transparencë, përgjegjësi dhe trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët, si mënyra e vetme për të garantuar integritetin e Policisë së Shtetit dhe për të parandaluar ndërhyrjet politike dhe klienteliste në institucionet e sigurisë.

Denoncimi:

"Përshëndetje JOQ Albania Jam një punonjës/e në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe dua të ndaj një shqetësim të rëndësishëm që po diskutohet gjerësisht brenda radhëve tona, pas një ngjarjeje të fundit në Akademinë e Sigurisë. Ditën e djeshme, u zhvillua ceremonia e çertifikimit për kursantët e vitit 2025 në Akademinë e Sigurisë, ku u njoftua se u çertifikuan 415 kursantë. Ky numër na habiti të gjithëve, pasi nga informacionet zyrtare që kemi pasur deri më tani, rezulton se: Në janar 2025, nisën trajnimin 400 kursantë. 52 aplikantë të tjerë, ndonëse të shpallur fitues, u lanë në pritje për arsye kapaciteti dhe u tha se do të nisin trajnimet më vonë, së bashku me fituesit e konkursit të shpallur më 29 gusht 2025.

Pra, në total kemi pasur 452 kursantë të pranuar, por vetëm 400 prej tyre nisën zyrtarisht trajnimin në janar. Nisur nga kjo, lind pyetja e natyrshme: Nga dolën këta 15 kursantë shtesë që u çertifikuan dje? Kjo situatë ka ngritur dyshime të forta dhe kërkon sqarim të menjëhershëm. Kolegët tanë përgjegjës për komunikimin zyrtar nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë. Në vend të një sqarimi të mirëfilltë, po përsërisin të njëjtin informacion që është tashmë i njohur për të gjithë: se kanë nisur 400 kursantë dhe se 52 janë në pritje. Në të kaluarën janë përfolur tentativa për të futur në sistem kursantë ende pa përfunduar trajnimin në Akademinë e Sigurisë.

Deri më tani janë quajtur "zëra", por duket se këto shqetësime mund të kenë pasur bazë. Si punonjës të Policisë së Shtetit, kërkojmë transparencë dhe barazi për të gjithë kandidatët dhe kursantët, dhe shpresojmë që ky shqetësim të merret seriozisht nga autoritetet përkatëse. Ju falenderoj për vëmendjen dhe mbështetjen ndaj çështjeve që prekin integritetin dhe besimin ndaj institucioneve tona.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit