Një zyrtar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka hedhur dritë mbi një skandal të rëndë që po ndodh aktualisht në Akademinë e Sigurisë.
Në një denoncim për JOQ ALBANIA ai ka treguar për manipulimet e hapura dhe ndërhyrjet politike në procesin e përzgjedhjes dhe trajnimit të kursantëve të rinj në Policinë e Shtetit.
Sipas denoncimit, më 15 janar 2025, Policia e Shtetit publikoi një listë me 475 kandidatë fituespër kursin bazë të formimit për patrullën e përgjithshme. Por vetëm 400 prej tyre filluan realisht trajnimin më 23 janar. 75 të tjerët nuk janë njoftuar kurrë për arsyet e mungesës së tyre në nisjen e kursit dhe nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar në faqet institucionale.
Ajo që ngrit më shumë dyshime është fakti se disa nga këta 75 kandidatë që nuk kanë qenë asnjë ditë në trajnim, po futen aktualisht në listën e kursantëve aktivë dhe pritet të dalin në praktikë brenda pak ditësh. Kjo sipas burimit është bërë përmes ndërhyrjeve të drejtuesve të lartë dhe me ndikim në institucion.
Ai i bën apel të rinjve, sidomos maturantëve që sapo kanë përfunduar shkollën e mesme, të mos bien pre e thirrjeve për aplikime në Akademinë e Sigurisë, duke e cilësuar procesin si një fasadë, ku përzgjedhja nuk bazohet te meritokracia, por te ndërhyrjet, lidhjet dhe favoret.
Sipas tij, të gjithë 475 kandidatët kishin kaluar me sukses të gjitha fazat e testimeve, përfshirë edhe verifikimin e besueshmërisë, dhe ishin cilësuar si të aftë për të nisur trajnimin. Megjithatë, mungesa e transparencës, mungesa e njoftimeve zyrtare dhe përfshirja selektive e individëve të pa trajnuar, është një tregues alarmant për gjendjen e brendshme të sistemit.
Denoncimi i plotë:
Përshëndetje JOQ Albania,
Jam një zyrtar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe po ju drejtohem përmes këtij denoncimi për të denoncuar një rast serioz abuzimi dhe padrejtësie që po ndodh në Akademinë e Sigurisë, në lidhje me kursin e formimit bazë për patrullën e përgjithshme.
Më 15 janar 2025, Policia e Shtetit shpalli listën me 475 fitues që do të ndiqnin kursin në Akademinë e Sigurisë. Por nga kjo listë, vetëm 400 persona e nisën realisht trajnimin me 23 Janar 2025. Ndersa 75 të tjerët shumica prej tyre as nuk janë njoftuar fare mbi arsyet e mungesës së tyre apo nëse procesi i tyre do të shtyhet.
Skandali më i madh është se disa nga këta 75 persona që nuk e kanë nisur kurrë trajnimin, po futen sot në listën e kursantëve aktivë dhe brenda javësh pritet të dalin në praktikë, pa kryer asnjë ditë trajnim në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Ky është një abuzim flagrant, që ndodh për shkak të ndërhyrjeve të zyrtarëve të lartë dhe që e njollos thellësisht figurën dhe integritetin e Policisë së Shtetit.
Dua t’i drejtohem të gjithë të rinjve, veçanërisht maturantëve që sapo kanë përfunduar arsimin e mesëm: mos u joshni nga thirrjet publike apo reklamat për aplikim në Akademinë e Sigurisë. Procesi është një fasadë. Shumë prej jush mund të përzgjidheni dhe të kaloni me ndershmëri testimet, por në fund emri juaj do të hiqet për t’u zëvendësuar nga dikush tjetër që “ka mik”.
Në këtë sistem, nuk ka rëndësi as përkushtimi, as djersa juaj, as mundi juaj rëndësi ka lidhja, ndërhyrja dhe favoret. Nëse nuk ke një “mik të fortë”, mundësitë janë minimale, pavarësisht meritës.
Ky është një realitet që duhet të njihet dhe të ndryshojë. E ndjej si detyrim profesional dhe moral ta bëj këtë të ditur për publikun dhe për të rinjtë që kanë ende deshira te cilat u shkelen nga individ te pangopur.
Anonim ju lutem
Këto lista nuk gjenden në asnjë link zyrtar të Policisë së Shtetit. Më 15 janar 2025, ato u publikuan vetëm sa për sy e faqe dhe u fshinë pas disa orësh. Arsyeja pse ndodhi kjo nuk dihet. Sa i përket pjesës së mbetur, nuk është bërë asnjë njoftim zyrtar me shkrim për kursantet që mbetën në pritje, as në faqen zyrtare dhe as me ndonjë fletë zyrtare.
Theksoj se: Të gjithë 475 kandidatët i kanë kaluar me sukses të gjitha fazat e testimeve, përfshirë edhe verifikimin e besueshmërisë. Ata janë cilësuar si të aftë dhe të pranuar për të nisur kursin, por Policia e Shtetit nuk u ka dhënë asnjë njoftim zyrtar në lidhje me arsyen e vonesës apo të mosfillimit të trajnimit.