Një i ri i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania duke denoncuar një situatë të pazakontë dhe zhgënjyese lidhur me pranimin në Akademinë e Sigurisë.
Sipas tij, në gusht të vitit 2024 ka aplikuar për degën “Patrullë e Përgjithshme” dhe ka kaluar me sukses të gjitha fazat e testimit: kontrollin e detajuar mjekësor, provimin me shkrim, testin fizik, testin psikologjik, intervistën me gojë dhe verifikimin e besueshmërisë. Në janar 2025, Policia e Shtetit ka publikuar listën e fituesve dhe emri i tij ishte mes tyre.
Më datë 23 janar 2025, rreth 400 aplikantë kanë nisur trajnimin, ndërsa 52 të tjerë – mes tyre edhe denoncuesi – kanë mbetur në pritje, pa asnjë njoftim zyrtar.
Denoncuesi tregon se vetëm në gusht 2025 është informuar se për të nisur trajnimin duhet të dorëzojë sërish nga fillimi të gjitha dokumentet, megjithëse procesin e kishte përfunduar një vit më parë dhe i kishte kaluar të gjitha testet me sukses.
“Kemi paguar skedat mjekësore, kemi marrë vërtetime nga gjykata, prokuroria dhe SPAK. Tani na thonë që duhet t’i rimarrim nga e para, ndërkohë që pritja e gjatë nuk ishte për fajin tonë. Nuk jemi bosa, kemi halle dhe probleme, e kjo situatë vetëm na lodh dhe na zhgënjen,” – shprehet ai për JOQ Albania.
Denoncuesi thekson se në deklarata zyrtare thuhet se ata janë fitues, por në realitet janë përzier me aplikantët e rinj të hapur në gusht 2025. Sipas tij, kjo do të thotë se trajnimi i tyre mund të nisë vetëm në janar 2026, ndërkohë që 400 të parët tashmë janë në praktikë dhe certifikohen në tetor.
Kandidati apelon që institucionet përkatëse të japin një përgjigje të qartë dhe të drejtë për situatën, duke mos lënë në pasiguri 52 të rinjtë që kanë kaluar të gjitha testet dhe janë shpallur fitues.