“Shëndetësia Evropiane” vazhdon të çudisë çdo ditë shqiptarët, jo për përmirësim, por për shkak të kushteve skandaloze që ofron. Përveç mungesës së shërbimeve të duhura, institucionet shëndetësore përballen edhe me amortizim të rëndë të ambienteve.
Prej ditësh kemi denoncuar situatën alarmante në Maternitetin e Shkodrës, Spitalin e Durrësit dhe Spitalin Rajonal të Beratit, ku e përbashkëta është papastërtia, myku dhe mungesa e higjienës. Në vend që të shërbejnë si vende shërimi, këto ambiente janë kthyer në burim sëmundjesh për pacientët.
Sot sjellim në vëmendje një tjetër rast shqetësues, këtë herë në Qendrën Shëndetësore të Paskuqanit. Një qytetar ka denoncuar me pamje gjendjen e mjerueshme të kësaj qendre, ku muret janë të mbuluara nga lagështia dhe suvaja ka rënë.
“Pershendetje 2025 qendra shendetsore paskuqan tiranë”, shkruan qytetari i revoltuar.
Realiteti në spitale dhe qendra shëndetësore në vend është larg asaj që paraqitet në televizione. Shumë prej tyre ofrojnë kushte të papërshtatshme për trajtimin e pacientëve, duke qenë të degraduara dhe të rrezikshme për shëndetin publik. Ndërkohë, autoritetet përgjegjëse, në vend që të ndërhyjnë për të përmirësuar situatën, përpiqen të mashtrojnë qytetarët përmes pamjeve të kuruara, që nuk përfaqësojnë realitetin.
Në këtë situatë, nevoja për ndërhyrje dhe investim mbetet e domosdoshme.