“Spitali i Durrësit me pllaka të thyera, tela të zbuluar dhe dyer të shkëputura”

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 14.04.2025, 13:43

Vetëm një ditë më parë, JOQ Albania raportoi mbi kushtet tërësisht të papranueshme në të cilat ndodhet Spitali Rajonal i Beratit, ku mungesa e higjienës, lagështia në mure dhe tualetet e rrënuara krijojnë një realitet që më shumë ngjan me epokën mesjetare sesa me një institucion shëndetësor të shekullit XXI.

Në vazhdën e denoncimeve të shumta mbi gjendjen skandaloze të spitaleve në vend, sot sjellim një tjetër rast shqetësues, këtë herë nga Spitali i Durrësit. Një qytetar ka kontaktuar redaksinë tonë për të ndarë pamje dhe informacione mbi situatën e rëndë që përjetojnë pacientët dhe familjarët e tyre në këtë institucion.

Në fotot e dërguara, dallohet qartë se një pjesë e pllakave të murit mungojnë plotësisht, duke lënë hapësira bosh të mbushura në mënyrë improvizuese me materiale leshi. Ndryshku është i pranishëm në sipërfaqe të ndryshme, ndërkohë që pllakat e mbetura janë të ndotura dhe të dëmtuara.

Një tjetër foto tregon derën me mbishkrimin “Garderobë”, e cila është gjysmë e shkëputur nga vendi dhe rrezikon të rrëzohet, me suvanë përreth që tashmë ka filluar të bjerë. Në një tjetër ambient të spitalit, kabujt elektrikë janë të ekspozuar në vendin ku duhet të ishte një prizë, duke përbërë një rrezik serioz për sigurinë e pacientëve dhe vizitorëve.

“Përshëndetje, ju lutem publikojeni këtë. Propaganda në televizione për spitalet është shumë e madhe, por shihni në çfarë gjendje ndodhet spitali i Durrësit, që sëmur më shumë njerëzit sesa i shëron,” shkruan qytetari në mesazhin e tij.

JOQ Albania prej kohësh ka evidentuar problemet e shumta që përballen spitalet publike në Shqipëri – që nga mungesa e medikamenteve dhe stafit të kualifikuar, e deri te kushtet e mjerueshme infrastrukturore. Përballë këtij realiteti, ne i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të marrin masa konkrete dhe të menjëhershme për të përmirësuar gjendjen në spitalet e vendit, për t’u ofruar qytetarëve shërbime shëndetësore dinjitoze dhe të sigurta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit