Atletja e njohur shqiptare, Luiza Gega, ka vendosur një rekord të ri kombëtar në finalen e garës 3000 metra me pengesa në Kampionatin Botëror të Atletikës që po zhvillohet në Doha të Katarit.
Gega regjistroi kohën 9 minuta, 19 sekonda e 93 të qindtat, duke thyer rekordin e mëparshëm që ishte 9 minuta e 22 sekonda.
Ndonëse u rendit e 9-ta në garë, kjo ishte një arritje e madhe për Gegën, e cila pak ditë më parë u bë atletja e parë shqiptare që merr pjesë në garën finale të një Botërori Atletike.
Në garën finale të 3000 metrave garuan 15 atletet më të mira në botë, ndërkohë që medalja e artë u mor nga atletja keniane, Beatris Çepkoeç, e cila dominoi finalen që nga fillimi e deri në fund. Ajo e mbylli garën në kohën 8 minuta, 57 sekonda e 84 të qindtat.
Në vendin e dytë u rendit amerikania Koburn, ndërsa e treta u pozicionua atletja gjermane, Krause.