Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania në lidhje me situatën alarmante në Spitalin Rajonal të Dibrës, ku skandalet nuk kanë të ndalur edhe pas shkarkimit të ish-drejtoreshës Irini (Ballë-çarësja) Shehu.
Sipas një qytetari që ka kontaktuar me redaksinë tonë, specialisti i pagave Aldair Laci është urdhëruar nga Irini Shehu që të grisë listëpagesat e punonjësve të spitalit dhe më pas është detyruar të largohet nga puna për shkak të presioneve të ushtruara ndaj tij.
Përveç kësaj, sipas burimeve të qytetarit, Irini Shehu është rikthyer sërish në ambientet e administratës së spitalit, e shoqëruar nga Klodian Reçi, dhe ka vijuar me provokime dhe fjalor denigrues ndaj stafit, pavarësisht pranisë së forcave të policisë në vendngjarje.
Denoncimi i plotë i qytetarit:
"Përshëndetje JOQ, specialisti i pagave Aldair Laçi me urdhër të Irini Shehut gris listëpagesat e punonjësve të spitalit rajonal Dibër dhe largohet nga puna pasi i ka bërë presion Irini. Përveç kësaj, Irini shkon sërish në zyrat e administratës dhe fillon e provokon me fjalorin e vet, e shoqëruar me një personazh që e mban nga mbrapa. Kanë qenë prezent edhe policia dhe nuk e di çfarë po bëhet. Në sy të policisë."
Kujtojmë se JOQ Albania ka raportuar më parë për skandalin e dhunës në këtë spital, ku Irini Shehu ka ushtruar dhunë fizike ndaj shefit të financës, Shaban Uklala, duke e goditur me shishe në fytyrë. Ky incident çoi në shkarkimin e saj nga posti i drejtoreshës, por mesa duket, ndikimi i saj në institucion vijon.
Në denoncimet e mëparshme, është bërë e qartë se sjellja e ish-drejtoreshës ka qenë skandaloze dhe ka përfshirë presione të vazhdueshme ndaj stafit, mosdhënie pagash dhe përdorim të gjuhës kërcënuese. Pavarësisht masave të marra kundër saj, ajo duket se vijon të ketë një ndikim të fortë dhe të përpiqet të destabilizojë punën e institucionit.
JOQ Albania do të ndjekë këtë çështje me vëmendje dhe i bën thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të drejtë pune për stafin e spitalit, duke ndëshkuar çdo abuzim me pushtetin.