Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, Ilir Doçi, me detyrë Shef i Logjistikës pranë DVKM Kukës, i dyshuar për “Drejtim të automjetit në gjendje të dehur” dhe “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Sipas njoftimit zyrtar të AMP, arrestimi u krye pasi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, Doçi u përfshi në një aksident rrugor në aksin Milot–Morinë. Si pasojë e përplasjes, u dëmtuan shtetasja XH.H. dhe dy fëmijë të mitur, të cilët ndodhen në Spitalin e Traumës, por jashtë rrezikut për jetën.
Testimi me alkoolmetër ka rezultuar pozitiv, me vlera 1.00 mg/l dhe 0.98 mg/l. Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Por arrestimi i tij sot hedh dritë edhe mbi denoncimet e publikuara më herët nga JOQ Albania, të cilat, megjithëse të rënda, nuk u shoqëruan me asnjë masë në kohën kur u bënë publike.
Në nëntor të vitit 2025, JOQ Albania publikoi një sërë denoncimesh nga punonjës të Policisë Kufitare dhe Migracionit në Kukës, të cilët pretendonin se prej më shumë se dy muajsh nuk kishin marrë pagesat e ushqimit. Në këto denoncime, efektivë të kësaj drejtorie përmendnin emrin e Ilir Doçit, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe keqpërdorim fondesh, si edhe për abuzime të tjera që lidhen me logjistikën, karburantin dhe mirëmbajtjen e mjeteve të policisë.
Sipas dëshmive të publikuara asokohe, pretendohej se auditimet e brendshme kishin konstatuar mungesa financiare, ndërsa drejtuesit e institucionit dyshohej se kishin mbuluar njëri-tjetrin për të fshehur shkeljet. Pavarësisht këtyre denoncimeve publike dhe shqetësimeve të ngritura nga vetë efektivët, nuk u raportua asnjë masë administrative apo penale ndaj Doçit në atë periudhë.
Dy muaj më pas, në janar 2026, shefi i Logjistikës së DVKM Kukës përfundon i arrestuar në flagrancë për një tjetër shkelje të rëndë, këtë herë me pasoja direkte në sigurinë e qytetarëve.
Rasti rikthen edhe një herë në vëmendje faktin se denoncimet publike, të dokumentuara dhe të përsëritura, shpesh injorohen deri në momentin kur situata del jashtë kontrollit. JOQ Albania ka qenë e para që ngriti alarmin për problematikat që lidhen me Ilir Doçin, shumë kohë përpara arrestimit të tij, por reagimi institucional erdhi vetëm pasi “zullumi i doli prej hundësh”.