Belinda: Ulajt po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kashar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.12.2025, 15:23

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja voluminoze e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku përfshihet zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Në materialet e administruara nga hetimi përfshihen edhe komunikime elektronike mes saj dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi.

Sipas aktit të ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të një aparati celular “BlackBerry” model BBF100-6, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, janë konstatuar komunikime në aplikacionin “Signal Private Messenger” ndërmjet tij dhe shtetases Belinda Balluku.

Në këto komunikime, të datës 15 qershor 2021, referohen takime, zhvillime dhe pritshmëri që, sipas hetimit, lidhen me projektin rrugor Thumanë–Kashar. Në një nga mesazhet, Balluku citohet të ketë shkruar:

Unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kasharin…”, frazë e cila në dosje interpretohet si referencë ndaj rëndësisë së projektit dhe ndikimit të tij te palë të treta.

Nga hetimi rezulton se në biseda përmendet edhe shtetasi Bashkim Ulaj, pronar i shoqërisë “Gener 2” sh.p.k., e cila është shpallur fituese e procedurës koncesionare (PPP) për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë–Fushë Krujë–Vorë–Kashar. Kontrata e koncesionit, me vlerë të parashikuar rreth 245 milionë euro, është lidhur në maj të vitit 2022 ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërive “Gener 2” sh.p.k. dhe “G2 Infra” sh.p.k.

Por edhe pse sipas dokumenteve zyrtare, ndërtimi fillestar kapte 245 milionë euro, vendime të mëvonshme të ARRSH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës e çuan këtë shifër në 330 milionë euro, duke krijuar një diferencë prej 60 milionë eurosh që shërben për përfitime të padrejta. Koncesionari pritet të arkëtojë gjatë 35 viteve rreth 1.3 miliardë euro, gjysmë miliardi më shumë se projekti fillestar, duke ngritur pyetje serioze mbi avantazhet që i janë dhënë familjes Ulaj në kurriz të buxhetit të shtetit dhe përdoruesve të rrugës.

Kjo autostradë me pagesë, është një nga katër autostradat më të shtrenjta në Europë sa i përket tarifës, ndërsa e krahasuar me fuqinë blerëse është më e shtrenjta në Europë. Në një listë ku janë renditur tarifat për kilometër të 59 autostradave me pagesë në të gjithë Europën, Thumanë-Kashar renditet në vendin e katërt. Kjo autostradë ka një gjatësi 21 kilometër, me një tarifë 2.1 euro pa TVSH ose 2.53 euro me TVSH ose 0.12 euro për kilometër.

Autoritetet hetimore theksojnë se këto materiale janë pjesë e një procesi në vijim dhe se çdo konkluzion përfundimtar do t’i takojë drejtësisë, në përfundim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor të çështjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit