Thumanë-Kashar, autostrada e katërt më e shtrenjtë në Europë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 10.07.2024, 11:02

Pak ditë më parë, autostrada Thumanë-Kashar që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 271 milion euro, u hap për qarkullimin e automjeteve.

Kjo autostradë që do jetë me pagesë në vijim, është një nga katër autostradat më të shtrenjta në Europë sa i përket tarifës, ndërsa e krahasuar me fuqinë blerëse është më e shtrenjta në Europë.

Në një listë ku janë renditur tarifat për kilometër të 59 autostradave me pagesë në të gjithë Europën, Thumanë-Kashar renditet në vendin e katërt. Kjo autostradë ka një gjatësi 21 kilometër, me një tarifë 2.1 euro pa TVSH ose 2.53 euro me TVSH ose 0.12 euro për kilometër.

Ndërkohë që në Britaninë e Madhe, autostrada “Cannock – Kingsbury” renditet e para me 0.2 euro për kilometër, aksi është 35 kilometër i gjatë dhe kalimi kushton 8.2 euro (7 paund).

Në vendin e dytë renditet autostrada "Navan North-Kells" në Irlandë me 0.136 euro për kilometër, aksi është 11 kilometër dhe kalimi kushton 1,5 euro.

Aksi i tretë më i shtrenjtë është sërish në Irlandë, autostrada “Springhill – Slieverue” kushton 0,125 euro për kilometër. Gjatësia është 16 kilometra dhe kalimi kushton 2 euro.

Por edhe nëse këto autostrada kanë tarifat më të shtrenjta në Europë, ato ofrojnë një sërë alternativash për kalim pa pagesë. Transporti hekurudhor tepër efektiv dhe rrugët e brendshme, janë alternativa efikase për ata që nuk duan të përdorin autostradën me pagesë. Ndërkohë që tarifat në formën e aboneve ditore, mujore dhe vjetore janë një zgjidhje e përballueshme për përdoruesit e përditshëm të autostradave me pagesë.

Nga ana tjetër në Shqipëri nuk ndodh asnjëra prej tyre.

Zgjidhja e vetme që qeveria u ka lënë shqiptarëve që nuk duan të paguajnë autostradën është kalimi në fshatrat e Thumanës ku rruga është në gjendje të mjerueshme dhe trafiku kilometrik. Ndërsa për pagesën, ajo është 270 lekë dhe jo 253 lekë, ashtu siç duhet sipas kursit të këmbimit valutor dhe siç e parashikon rregullorja e vendosur me koncesionarin. Ndërkohë që abonimet javore apo mujore, për mjetet që përdorin çdo ditë autostradën, nuk janë fare në planet e Gener 2, koncesionari për 35 vitet e ardhshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit