Denoncimi nga Thethi: “Kafet” e Sheldijës së AMP dhe Pëllumbit të SHISH për ndërtime pa leje dhe zaptime pronash

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.11.2025, 23:39

Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim i ri nga një qytetar i Thethit, i cili ngre akuza të rënda korrupsioni, zaptimi pronash dhe abuzimi me detyrën kundër zyrtarëve të lartë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Shkodër dhe figurave me ndikim në siguri.

Denoncimi thekson një fenomen të standardeve të dyfishta, ku ligji, i ashpër për qytetarët e thjeshtë, ndalon përpara zyrtarëve me mbrojtje politike e institucionale.

Në qendër të skandalit është sërish Mauricio Sheldija, shef i Sektorit të Hetimit në AMP Shkodër, i akuzuar drejtpërdrejt për ndërtime pa leje në truall të përbashkët, zaptim prone dhe pengim të bashkëpronarëve për të hyrë në tokën e tyre në Theth.

Denoncimi i qytetarit: Nga "kafet" tek mbrojtja e Prokurorisë

Mesazhi i qytetarit është i prerë: shteti shkon me fadromë tek banorët e thjeshtë, ndërsa ata që janë të lidhur me drejtues të AMP-së ndërtojnë pa u trazuar nga askush. Ai paralajmëron se nëse institucionet nuk reagojnë, Thethi do të bëhet shembulli i një sistemi ku ligji aplikohet vetëm mbi të dobëtit dhe mbron të fortët.

Qytetari shpjegon më tej prapaskenat e tolerimit të ndërtimeve të paligjshme në Theth që shkaktuan bujë muaj më parë:

"JOQ përshëndetje!! Doja të denoncoja në lidhje me Mauricio Sheldijën edhe për ndërtimet pa leje që u bënë në Theth dhe pastaj u prishen. Për këtë tolerancë në ndërtimet pa leje u shkarkua në atë kohë Drejtori i Policisë Shkodër, Fatmir Lleshi, dhe Shefi i Komisariatit. Ndërsa këtyre të AMP-së nuk iu hyri ferra në këmbë asnjërit, as Drejtorit të AMP dhe as Shefit të AMP Shkodër, MAURICIO SHELDIJËS, të cilët kishin marrë pjesët e tyre të 'kafeve'. Këto janë të paprekshëm, i mbron edhe prokuroria. Me shumë mundësi çështjen e këtij Mauricio Sheldijës do ja kenë mbyllur prokuroria."

Qytetari ngre pyetjen kyçe: Ndonëse drejtuesit e Policisë u shkarkuan me motivacionin se kishin toleruar ndërtimet pa leje, pse drejtuesit e AMP-së, që duhet të mbikëqyrin, mbetën në punë? Sipas tij, kjo tregon se toleranca u bë me dijeni dhe përgjegjësi të të dy palëve.

Lidhja SHISH-AMP

Përveç akuzave për zaptim prone, denoncuesi hedh dritë mbi rrjetin që siguron paprekshmërinë e Sheldijës. Një emër tjetër i rëndë që përmendet është Albert Pëllumbi i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).

Qytetari e përshkruan Pëllumbin si një figurë me ndikim që "ju bën presion njerëzve dhe ju merr lekë" dhe shton se ai angazhohet, bashkë me Sheldijën, edhe për "mbrojtjen e kultivimit në zona të ndryshme të Shkodrës." Kjo akuzë përforcohet me faktin se djali i xhaxhait të Pëllumbit u arrestua para dy vitesh për kultivim, ndërsa AMP nuk pati asnjë reagim ndaj rolit të zyrtarit të SHISH.

Rasti në Prokurori: Gjashtë muaj heshtje

Denoncimi aktual lidhet drejtpërdrejt me rastet e publikuara më parë nga JOQ Albania, ku Mauricio Sheldija është kallëzuar zyrtarisht në Prokurorinë e Shkodrës.

Siç u raportua më herët, në maj të vitit 2025, ndaj Sheldijës u dorëzuan kallëzime penale për veprat "Zaptim Prone," "Ndërtim pa Leje" dhe "Vetëgjyqësi", jo vetëm në Theth, por edhe për zaptimin e një pasurie private prej 17 metra katrorë në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës.

Pavarësisht dokumenteve dhe provave, kanë kaluar gati gjashtë muaj dhe Prokuroria e Shkodrës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor: as marrje në pyetje, as verifikim në terren. Kjo inerci, e krahasuar me shpejtësinë me të cilën Prokuroria vepron ndaj qytetarëve të thjeshtë, e ka kthyer dosjen "Sheldija" në simbolin e "drejtësisë me dy faqe".

Juristët lokalë e kanë quajtur këtë rast "një test për besueshmërinë e drejtësisë lokale", ku duket se ligji i njeh postet dhe njohjet, dhe jo vetëm ligjin.

Konteksti i rënduar i AMP-së

Ky skandal në Shkodër rëndohet nga problematikat e tjera që kanë shoqëruar AMP-në së fundmi, duke përfshirë menaxhimin e rasteve të brendshme dhe akuzat ndaj Drejtorit të Përgjithshëm, Eduart Merkaj.

Mesazhi i qytetarit është i prerë: shteti shkon me fadromë tek banorët e thjeshtë, ndërsa ata që janë të lidhur me drejtues të AMP-së ndërtojnë dhe veprojnë të patrazuar.

Qëndrimi i JOQ Albania

Ne publikojmë denoncimin e qytetarit pa ndërhyrje, siç ka mbërritur në redaksi. Të gjithë personat e përmendur në artikull janë të ftuar të japin sqarimet e tyre përballë akuzave të ngritura.

JOQ Albania i bën thirrje Prokurorisë së Shkodrës dhe strukturave qendrore të sigurisë që të heqin dorë nga heshtja dhe të nisin menjëherë një hetim profesional, pa ndërhyrje, për të rivendosur besueshmërinë e ligjit.

Mauricio Sheldija

Eduart Merkaj

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit