Zbardhet dokumenti: Prokuroria e Shkodrës prej 6 muajsh nuk vepron ndaj kallëzimit për shefin e AMP

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.11.2025, 00:11

Në Shkodër po luhet një skenë që shpjegon më mirë se çdo raport ndërkombëtar pse qytetarët nuk besojnë më te drejtësia. Në maj të këtij viti, një qytetar dorëzoi një kallëzim penal zyrtar ndaj shefit të Sektorit të Hetimit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Mauricio Sheldija, për veprat penale “Dhunim banese” dhe “Vetëgjyqësi”.

Kallëzimi, sipas dokumentit të siguruar nga redaksia e JOQ Albania, është depozituar më 19 maj 2025 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Në të, Sheldija akuzohet se ka zaptuar dhe përdorur padrejtësisht një pasuri private me sipërfaqe 17 metra katrorë në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës, duke mbyllur hyrjen me dry dhe duke penguar pronarin ligjor të hyjë në pronë.

Por, edhe pse kanë kaluar gati gjashtë muaj, Prokuroria e Shkodrës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor, as marrje në pyetje, as verifikim në terren, as njoftim për palët. Dosja, duket, është vendosur në “pushim gjyqësor”.

“Kur qytetarit të thjeshtë i vjen inspektori për një garazh të prishur, ndërsa një drejtues AMP-je akuzohet për shkelje dhe askush nuk reagon, kjo s’është drejtësi, është tallje,” shprehet një banor i Shkodrës për JOQ Albania.

Ironia është se institucioni ku Sheldija mban post drejtues, vetë AMP-ja, vetëm pak ditë më parë shpalli me bujë arrestimin e disa punonjësve të policisë dhe IMT-së për “shpërdorim detyre”.

Pra, kur hetimi prek njerëz të thjeshtë, veprimet janë të menjëhershme. Kur dyshohet një shef brenda vetë AMP-së, gjithçka mbulohet me heshtje.

Juristët lokalë e quajnë rastin “një test për besueshmërinë e drejtësisë lokale”. “Ligji nuk njeh poste. Por në Shqipëri, duket se njohjet vlejnë më shumë se ligji,” shprehet një prej tyre.

Ndërkohë, qytetarët flasin për “dy standarde në drejtësi”: një për qytetarin e zakonshëm dhe një tjetër për ata që mbajnë poste. Në një vend ku kallëzimet ndaj zyrtarëve të policisë harrohen në sirtar, ndërsa gjobat ndaj qytetarëve për 2 metra mur ngriten brenda ditës, fjala “drejtësi” duket se ka humbur kuptimin e saj.

Për momentin, Prokuroria e Shkodrës hesht, ndërsa dosja “Sheldija” mbetet simboli më i freskët i asaj që shqiptarët e quajnë me të drejtë: drejtësi me dy faqe.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit