Ligji s’është njësoj për të gjithë: Shefi i AMP-së në Shkodër i akuzuar për zaptim prone, Prokuroria ‘mbyll sytë’

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.11.2025, 23:32

Në Shkodër është ndezur një tjetër debat që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si zbatohet ligji në vend. Burime lokale bëjnë me dije se Mauricio Sheldija, shef i Sektorit të Hetimit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), është kallëzuar në Prokurori për veprat penale “zaptim prone” dhe “ndërtim pa leje”.

Sipas kallëzimit, Sheldija dyshohet se ka ndërtuar pa leje në një truall që nuk është pronë e tij e vetme, duke përjashtuar bashkëpronarët dhe duke e përdorur tokën në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, pavarësisht dokumenteve dhe provave të paraqitura, Prokuroria e Shkodrës nuk ka marrë asnjë masë ndaj tij.

Ironia e situatës është e qartë: institucioni që duhet të hetojë dhe mbikëqyrë policinë, ka në radhët e veta një drejtues të kallëzuar për shkelje ligjore. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, vetë AMP njoftoi me bujë zbatimin e masave të sigurisë ndaj disa punonjësve të policisë dhe të IMT-së, të dyshuar për “shpërdorim detyre”.

Kjo mospërputhje në reagim ka shkaktuar indinjatë te qytetarët dhe vëzhguesit lokalë, të cilët e shohin rastin si shembull tipik të dy standardeve në drejtësi.

“Kur bëhet fjalë për njerëzit e thjeshtë, veprimi është i menjëhershëm. Por kur dyshohet një shef brenda vetë AMP-së, gjithçka mbulohet me heshtje,” – shprehen banorë të zonës.

Në të njëjtin qark ku u ekzekutuan masa ndaj zyrtarëve të IMT-së, rasti i Sheldijas mbetet pa asnjë zhvillim, duke lënë përshtypjen se ligji në Shqipëri ende nuk zbatohet njësoj për të gjithë.

Ngjarja po shihet si një tjetër goditje për besueshmërinë e AMP-së dhe të drejtësisë shqiptare, institucione që, në vend që të japin shembullin, duket se mbyllin sytë kur akuzat prekin njerëzit e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit