JOQ e denoncoi për abuzime me tenderat, SPAK bastis banesën e Enea Karakaçit të OSHEE

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.10.2025, 00:14

SPAK ka ndërmarrë kontrolle ndaj administratorit të OSHEE, Enea Karakaçi. Raportohet se janë kontrolluar banesa, zyra dhe telefoni i tij personal, në kuadër të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Posaçme.

Ky zhvillim vjen dy vite pasi JOQ Albania publikoi një sërë artikujsh denoncues, ku zbardheshin me detaje praktikat abuzive me tendera dhe kontrata të dyshimta të firmosura nga Karakaçi që në fillimet e mandatit të tij si drejtues i OSHEE.

Në vitin 2023, JOQ Albania raportoi se vetëm pak javë pas marrjes së detyrës, Karakaçi kishte firmosur kontrata të trashëguara nga paraardhësi i tij, Adrian Çela, për mirëmbajtjen e sistemit të faturimit me vlerë rreth 1.9 miliardë lekë, ku fituesi i tenderit ishte paracaktuar. Kompania fituese, “PRIMUS ALBANIA”, ishte lidhur me skandale në Kroaci dhe përmendej si e afërt me qeverinë shqiptare — një fakt që ngriti dyshime për korrupsion dhe klientelizëm.

Në të njëjtin vit, JOQ Albania publikoi gjithashtu një tjetër analizë për Karakaçin, ku theksohej se ai kishte qenë anëtar i Bordit të Transparencës që caktonte çmimet e karburanteve, një strukturë e akuzuar publikisht për rritje të padrejta të çmimeve në dëm të qytetarëve.

Sot, pas më shumë se dy vitesh nga ato denoncime publike, SPAK ka ndërhyrë më në fund, duke kryer kontrolle në banesën dhe zyrën e administratorit të OSHEE-së, në kuadër të hetimeve për veprimtarinë e tij si drejtues i një prej kompanive më të mëdha shtetërore.

Ky veprim mund të shihet si një sinjal se institucionet e drejtësisë duket se kanë nisur të ndjekin gjurmët e aferave të denoncuara publikisht, ndërkohë që qytetarët presin që hetimet të shkojnë deri në fund dhe të japin drejtësi për abuzimet me fondet publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit