Pas 9 vitesh në krye të OSHEE, ku ja doli me sukses të abuzojë në mënyrat më të ndryshme me xhepat tanë e fondet e shtetit dhe të padisë (dhe fusë në burg) qindra “kriminelë” të varfër për mospagimin e dritave, Ardian Çela përfundoi misionin e tij në këtë detyrë.
Pas ngarkimit të kryer në perfeksion si patronazhisti numër 1 në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 14 majit, Çela me shumë mundësi do të shpërblehet në një tjetër detyrë prestigjioze nga kreu i qeverisë sonë, Edi Rama. Por kush do ta pasojë Ardian Çelën në postin e drejtorit të një prej kompanive shtetërore më të rëndësishme ne vend?
Pasuesi i tij është mësuar dhe ai do të jetë Enea Karakaçi. Nëse po mendoni se ky do ju zhvatë më pak se Çela, me siguri e keni gabim. Karakaçi e merr këtë detyrë të re si një person me poste të ndryshme shtetërore dhe me një CV të pasur si zyrtar shtetëror në sektorin e energjisë.
Deri vitin 2012 ai rezulton të ketë qenë jurist në Entin Rregullator të Energjisë. Në vitin 2013 Karakaçi është transferuar në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, ku fillimisht mbajti postin e specialistit e më pas u emërua drejtor për sektorin e energjisë elektrike në Ministri. Në kohët e fundit ai ishte anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në OSHEE.
Ama, detyra më e rëndësishme dhe më “fisnike” e Enea Karakaçit ishte në vitin e fundit, kur ai ishte pjesë e Bordit të Transparencës, që caktonte çmimet e naftës dhe karburanteve të tjera. Ka qenë pikërisht ky bord, që për një vit i ka vjedhur hapur fare qindra miliona euro qytetarëve shqiptarë.
Në këtë mision Enea Karakaçi ka pasur rolin e tij të rëndësishëm për ta pasuruar kompanitë e karburanteve dhe për të rritur shifrat në buxhetin e shtetit, pa e vrarë mendjen për xhepat e qytetarëve, të cilët po kalojnë sfidë pas sfide e po lodhen aq shumë, sa do të vijë dita që do të kemi më shumë “hajdutë” si Enea, sesa popull në këtë vend.