Administratori i ri i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Enea Karakaçi, e ka nisur punën e tij të re me zakonet e vjetra të paraardhësit Adrian Çela.
Kanë kaluar vetëm pak javë që nga emërimi i tij në krye të OSHEE dhe në vend të bëjë ndonjë plan për të rregulluar situatën e energjisë dhe borxhet që ka OSHEE, ai firmos kontratat abuzive që ka lënë përgjysmë Çela.
I tillë është rasti me tenderin me objekt “Mirembajtje e Customer Relationship Management (CRM) dhe sistemit te Faturimit për OSHEE”, gara për të cilin është hapur më datë 28 prill dhe është mbyllur më datë 29 maj, periudhë në të cilën Adrian Çela vazhdonte në krye të OSHEE.

Vetëm për të mirëmbajtur këtë sistem faturimi, për 1 vit ai ka planifikuar të shpenzojë 1.9 miliardë lekë. Mirëpo, duke qenë se ai u largua më 21 qershor nga posti që mbante, nuk arriti të firmos kontratën përfundimtare të kësaj llokme të madhe.
Sikur duket, këtë porosi ja ka lënë pasardhësit të tij Enea Karakaçit, i cili ka firmosur kontratën me operatorin që ishte paracaktuar më herët si fitues.

Edhe pse u mor një muaj kohë për shpalljen e fituesit nga mbyllja e garës, faktet tregojnë se në të vërtetë ai e ka marrë fitoren në tavolinë. Sepse janë paraqitur 3 oferta, por dy prej tyre kreu i OSHEE nuk i ka shqyrtuar fare por i ka skualifikuar menjëherë. Kështu mbeti në sistem vetëm oferta e firmës “PRIMUS ALBANIA” sh.p.k, e cila e rrëmbeu fitoren.
“PRIMUS ALBANIA” sh.p.k është në pronësi të grupit kroat PRIMUS ADRIATIC d.o.o. dhe administrohet nga Hrvoje Cabrajic. Firmë e përmendur shpesh nga mediat si i lidhur me skandale të rënda në Kroaci si dhe për lidhjet e tij me Ramën.
Jo më kot kjo kompani fiton tenderë kaq të kushtueshëm. Çka shton edhe më shumë bindjen se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.
