Arrestohen tifozët që ‘vunë nderin’ në vend, asnjë masë për përdhosësit polakë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 29.08.2025, 14:13

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me përplasjen e dhunshme të tifozëve shqiptarë me atë të huliganëve të ekipit polak të Jagiellonias, që ndodhi pas ndeshjes së mbrëmshme me Dinamon, që u mbajt në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

Pasi huliganët dolën nga stadiumi, ata u pritën jashtë nga tifozët vendas të cilët në afërsi të stadiumit dhunuan njërin prej tyre, ndërsa në afërsi të Rinasit sulmuan me flakadanë dhe gurë tre autobusë të tifozëve Jagiellonas.

Për këtë, policia ka arrestuar shtetasit A. M., 32-vjeç., K. S., 29-vjeç dhe Sh. S., 30-vjeç, si dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë dy 17-vjeçarë. Të gjithë ata dyshohen se “pas mesnate, në aksin rrugor “Qafë Kashar – Rinas”, kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë gjuajtur me sende të forta, 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli.”

Irritimi i tifozëve vendas erdhi pas gjatë pasdites së djeshme, tifozët e Jagiellonias që përshkruhen si “radikalë pro-serbë” përdhosën shtatoren e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në sheshin qendror të kryeqytetit. JOQ Albania i publikoi me pamje veprimet e tyre, të cilat u filmuan nga qytetarë të zakonshëm.

Këta të fundit kërkuan që të merren masa për ndëshkimin e përdhosësve të figurës së Skënderbeut, por policia nuk arriti të identifikojë asnjëri prej tyre, pavarësisht se ishin me pamje. Për ironi, ata që u ndaluan janë tifozët vendas, që duke parë mosveprimet e autoriteteve, u organizuan vetë për të mbrojtur nderin e Heroit Kombëtar.

Pas kësaj ngjarje, të shumtë janë qytetarët që pyesin se “Çfarë do të ndodhte nëse të njëjtat veprime do t’i kryenin tifozët shqiptarë, me figurat kombëtare të shteteve të tjera, për më tepër në qendër të kryeqyteteve të tyre?”

Njoftimi i Policisë:

Tiranë

Penguan qarkullimin e automjeteve dhe gjuajtën me sende të forta 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli, identifikohen 5 shtetas. Vihen në pranga 3 prej tyre, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 32 vjeç, K. S., 29 vjeç dhe Sh. S., 30 vjeç, dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur 17 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pas mesnate, në aksin rrugor “Qafë Kashar – Rinas”, kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë gjuajtur me sende të forta, 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli.

Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, të kryera në bashkëpunim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit