Shqiptarët po marrin kredi tek kriminelët e mikrokedive dhe po i fusin tek “Sudet online”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.08.2025, 14:18

Prej dy ditësh tanimë, JOQ ALBANIA po merret me një skemë të re piramidale që po rrjep mijëra qytetarë duke zhvatur nga xhepat e tyre miliona lekë, ndërkohë që funksionon nën hundën e shtetit shqiptar.

TXEX dhe XUEX janë dy platforma të rreme investimi që janë kthyer në makth për qytetarët kryesisht nga Lezha, Divjaka, Fieri dhe Lushnja.

Këto platforma paraqiten si aplikacione që ofrojnë investime të “sigurta” në kriptovaluta, por në fakt janë mashtrime të mirëorganizuara që shfrytëzojnë rrjetet sociale dhe platformat si Telegram, Signal dhe WhatsApp për të joshur viktimat. Skema fillon me reklama joshëse në Instagram dhe TikTok, ku individë anonimë, që prezantohen si “ekspertë tregu” apo “mentorë financiarë”, krijojnë grupe të simuluara investimi. Në këto grupe, përdoruesit shohin komente të rreme dhe fitime të fabrikuara, ndërsa ftohen të investojnë fillimisht shuma të vogla në kripto përmes platformave reale si Binance.

Por sapo fondet e tyre kalojnë në këto platforma, ato zhduken dhe në momentin që kërkojnë tërheqje, platforma bllokon çdo veprim ose kërkon 400 dollarë për aktivizimin e llogarisë, gjë që nuk ndodh dhe lekët humbin sërish.

JOQ ALBANIA ka mësuar se kjo skemë mashtrimi, e ngjashme me skemat piramidale të viteve 90′, nuk zhvillohet vetëm online nëpërmjet menaxherëve të krijuar me Inteligjencë Artificiale si Kevin apo Caitlin, por edhe njerëzve realë që u shkojnë në shtëpi shqiptarëve dhe u kërkojnë të investojnë në këto bursa që operojnë pa licencë dhe jashtë çdo kuadri ligjor në Shqipëri.

Një qytetar ka treguar se në Lushnje një çift shkon derë më derë duke bindur qytetarët që të investojnë, ndërsa u reklamojnë me krenari raste fitimi të fabrikuara prej tyre. Madje ai thotë se këta persona iu japin edhe lekë në dorë qytetarëve për t'i bindur sa më mirë, pasi skema është e tillë, sa më shumë persona t'i bashkohen kësaj platforme, aq më shumë rritet përqindja për ty që i binde.

E njëjta skemë është ndjekur edhe në Lezhë e Fier ku qytetarët thonë se disa të rinj, që prezantohen si agjentë bursash, u kërkojnë të investojnë në bursa pasi fitimet do shumëfishohen brenda pak ditësh. Ata thonë se procesi i bindjes zgjat me orë të tëra dhe nuk largohen pa arritur qëllimin e tyre.

Ndërkohë në Divjakë, kjo lloj skeme piramidale është reklamuar publikisht edhe në dyqanet e marketet e zonës. Banorët thonë se në xhamat e këtyre bizneseve para pak kohësh janë vendosur postera ku qytetarët ftoheshin të investonin në bursa dhe fitmi i tyre do shumëfishohej.

Por të gjitha këto skema kanë rezultuar në fatale për qytetarët, "investitorë të rinj" pasi JOQ ALBANIA ka mësuar se fitimet dhe xhepat janë mbushur vetëm për "agjentët" që kanë vite që merren me këto punë dhe bindin qytetarët të bëhen pjesë e këtyre mashtrimeve.

Referuar denoncimeve të mbërritura në redaksinë tonë, shumë shqiptarë kanë shpenzuar kursimet e jetës dhe fëmijëve për të investuar në këto bursa duke menduar se do marrin fitim, ndërkohë që të tjerë kanë marrë edhe mikrokredi te kriminelët që, Banka e Shqipërisë i mbron, pa e ditur se do zhyten në një rrugë pa kthim.

JOQ ALBANIA u bën thirrje organeve kompetente, përfshirë SPAK, Policinë e Shtetit dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, që të ndërhyjnë sa më parë dhe të nisin hetimet mbi këto platforma mashtruese, ku thuhet se viktima janë edhe punonjës policie e administrate.

Nëse institucionet vijojnë të heshtin, atëherë janë bashkëfajtore për çdo qytetar të mashtruar dhe çdo euro të zhdukur pasi këto skema po shumohen, po ndryshojnë emra dhe po rrjepin shqiptarët në dritë të diellit.

Denoncimi 1:

Me thane qe qenka nje cift ne Lushnje qe jane si ne krye qe po bekan namin e zi me para ne dore madje. Por s'mi than emrat. Nese i gjeni super do ishte se na jan ber sudja 2t. Ata bejne takime live se sia mban askujt te jap fakte me mesazhe apo foto dhe kam qe ne maj qe mundohem te denoncoj me fakte por ma kane ber te pamundur. Txex eshte baza ndersa xuex eshte linja e tyre. Hiqen si te ndara sikur skan lidhje por nese i hyn kerkimeve ( gje qe e kam ber me kohe) jane e njëjta

Denoncimi 2:

Me kane ardh disa cuna ne lagje, me duken si agjente qe punojn me keto. Se faqet ngjasojne shume me njera tjetren. Dhe thone qe futi leket se fiton. Por ta thone si me ngulm kan nejt 30 min me me mbush mendjen per kete website

Denoncimi 3:

Ne Divjake e vune neper dyqane reklamen edhe e mbyllen muhabetin. E kan lene ne harrese. Vune postera qe fut te investosh merr bonus 250 euro per cdo 1000 euro investim. Atehere dikush qe eshte brenda ne platforme, gjeneron nje link referal e ta con, ti regjistrohesh e depoziton 1000€, edhe ne kete menyre ke akses, kane e grup telegram ku flasin. Thone fut 1000 euro e mer 2000, e te shtyn te ftosh sa me shum njerez, desi sa kolapsojn e te fundit humbasin gjithçka

Denoncimi 4:

Skema ka groposur antaret e rinj dhe ka paguar nje pjese te fitimeve antaret e vjeter kush ka futur me shume persona ne platforme.

Denoncimi 5:

Nuk eshte shteti ne gjum, por shumica e ketyre personave qe kan investuar ketu kane qene zyrtare, police, punonjes administrate,etj etj etj. Ka shume faqe ne insta qe i kane bere promote, lokale te cilat kan vene postera neper xhamat e tyre, por mbas publikimit tuaj besoj mund ti ken hequr

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit