Bullgaria e ka shpallur krim kibernetik, Xuex mashtrimi i radhës për shqiptarët: Miliona € të humbura

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.08.2025, 11:30

Ditën e djeshme JOQ ALBANIA denoncoi një platformë të rreme investimi të quajtur TXEX që po godet qytetarët shqiptarë duke zhdukur miliona dollarë përmes një skeme piramidale të sofistikuar që operon pa licencë dhe jashtë çdo kuadri ligjor në Shqipëri.

Fill pas këtij publikimi, me dhjetëra denoncime të tjera kanë mbërritur në redaksinë tonë për një tjetër skemë të ngjashme, XUEX, një faqe e paraqitur si “exchange” për kriptomonedha, por që në të vërtetë funksionon si një skemë klasike piramidale, pa asnjë licencë apo transparencë ligjore.

XUEX prezantohet si një platformë që ofron mundësi fitimi të shpejtë përmes kriptomonedhave. Individët ftohen nga “miq” ose agjentë lokalë për të investuar shuma të caktuara, me premtimin se do të marrin dyfishin brenda pak ditësh. Paratë dërgohen përmes USDT (monedhë dixhitale që përdoret shumë në platforma të dyshimta për mashtrime sepse është e vështirë të gjurmohet nëse nuk përdoren platformat e rregulluara), në rrjetin TRC20 dhe kalojnë në portofola anonimë, të paregjistruar në sistemin bankar shqiptar.

Pas investimit, përdoruesve u jepet akses në një llogari "demo" ku shohin fitime të rreme sepse sapo fondet e tyre kalojnë në këtë platformë, ato zhduken dhe në momentin që kërkojnë tërheqje, platforma bllokon çdo veprim.

Këto lëvizje financiare i përngjajnë një strukture të pastër për pastrim parash, me përfshirje të tregtarëve të kriptove që operojnë jashtë çdo kuadri ligjor në Shqipëri.

XUEX.top është klasifikuar zyrtarisht nga autoritetet bullgare si një faqe e lidhur me krime kibernetike dhe mashtrime financiare. Kjo e vendos Shqipërinë nën një dritë të keqe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, pasi rrjeti mashtrues operon lirisht në vendin tonë, pa asnjë ndërhyrje nga institucionet përkatëse shqiptare.

Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur dhjetëra mesazhe nga qytetarë të Fierit, Divjakës, Lushnjes e qytete të tjera, që dëshmojnë se janë mashtruar me shuma nga 1,000 deri në 7,000 euro. Reklamat janë shpërndarë edhe në dyqane lokale, ku ofrohet “bonus” prej 250 euro për çdo person të ri që ftohet. Një nga denoncuesit shprehet:

“XUEX është 100 herë më e madhe se TXEX. Mijëra shqiptarë po fusin kursimet aty, me idenë se do fitojnë dyfish, por në fund nuk marrin asgjë.”

JOQ Albania u bën thirrje autoriteteve, SPAK, Njësisë për Krime Ekonomike dhe Autoritetetit të Mbikëqyrjes Financiare që të ndërhyjnë menjëherë pasi nëse nuk ndërhyhet tani, skema do të rritet, do të përsëritet me emra të rinj dhe do të prekë më shumë viktima. Shqipëria rrezikon të kthehet në një “lavatriçe të heshtur” për pastrim parash nëpërmjet mashtrimeve online.

Denoncimi 1:

Xuex me mijera njerëz po fusin kursimet ne keto skema piramidale, edhe eshte qarte nje skeme vjedhje qe behet ne hunden e shtetit e nuk po vepron askush njesoj si ne firmat piramidale. E kane nxjerr e personazhe te ndryshem, eshte platform qe fut leket e per muaj te premtojne dyfishin e parave. Me te medhat jane Xuex dhe Gronk per keto mashtrimet miliona euro brenda, une njoh vete me shum se 10 persona kane futur leket e femijeve. Aksesi behet me ftese nga miq. Une jo skam investu, e quaj te rrezikshme por perdite me thone qe investoj, nese njihni ne Fier apo Divjake pyesni miq tuaj e do ju thone. Leket i marin e fusin me kripto. Nga banka ne binance e nga binance aty e reverse. Ne divjak e vune neper dyqane reklamen edhe e mbyllen muhabetin. E kan lene ne harrese. Neper dyqanet e Divjakes vune postera qe fut te investosh merr bonus 250 euro per cdo 1000 euro investim. Atehere dikush qe eshte brenda ne platforme, gjeneron nje link referal e ta con, ti regjistrohesh e depoziton 1000€, edhe ne kete menyre ke akses, kane e grup telegram ku flasin, une nuk hyra sepse e shikoj me rrezik, por me cuan screen shot qe te thone ja nga 1000 kam vajt 3 e kshu. Por xuex esht 100 her me e madhe Po, keto thone fut 1000 euro e mer 2000, e te shtyn te ftosh sa me shum njerez, desi sa kolapsojn e te fundit humbasin gjithcka

Denoncimi 2:

Kujdes nga xuexi se ka shum here me shume investitor se ky qe u mbyll dhe ska fol njeri deri sot per kete platforme. Shikojeni edhe platformen XUEX / XU Exchange edhe kjo është shumë e perhapur i fiku robt duke ju marre Lek.

Denoncimi 3:

Pershendetje Joq, Une jam gjithashtu nje nga personat e mashtruar ne kete platforme Texex! Kjo platforme texex dhe nje platforme tjeter xuex kane grabitur mbi 2000 qytetar te qytetit te Divjakes. Skema ka groposur antaret e rinj dhe ka paguar nje pjese te fitimeve antaret e vjeter kush ka futur me shume persona ne platforme.

Denoncimi 4:

Eshte dhe XUEX E NJEJTA ME KETE TE LUTEM POSTOJE!!!!! Se me doli fyti duke folur Rastet ishin te tilla: 1. nje burre mekanik qe ja kishin prezantu dhe kishte futur 1000€ dhe kishte kalu ne 2000€ por withdraw pra terheqja nuk behej nuk ekzistonte sepse parat ishin depozituar ne „demo“ 2. nje grua nga italia kishte cuar ne shume 7000€ dhe nuk i terhiqte dot njejt si rasti i pare Thone qe gjasme terhiqen ne bankomatet e Kosoves Prishtin Prizeren pasi ka automate ligjore cryptosh por kjo nuk eshte platform exchange dhe eshte bere problem sepse vec qarkullohen para kaq.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit