Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të një video nga JOQ ALBANIA ku një efektiv i komisariatit të Lezhës, shfaqet duke konsumuar kokainë në ambientet e një lokali dhe duke përdorur armën e shërbimit.
Sipas policisë, oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë në Lezhë, me iniciale Xh.T është përjashtuar nga radhët e Policisë që më 3 korrik, për shkelje të rënda disiplinore dhe mungesë pa arsye në punë. Ish-oficeri, i cili mbante gradën Inspektor, ishte në proces ankimimi, por edhe Komisioni i Apelimit më 25 korrik kishte lënë në fuqi përjashtimin e tij dhe më herët ka qenë edhe nën masë disiplinore për shtyrje gradimi për shkak të sjelljes së tij në punë.
Por vetë efektivi i shfaqur në këto pamje thotë se video është tre vjeçare dhe ai vetë është pjesë e Policisë vetëm prej një viti.
"Joq ju bej me dije se vidio ne redaksine tuaj ka 3 vite. Une kam 1 vit ne polici, kshu qe s'jane te vereta. Ajo video qe ka dale duke perdor lende narkotike. Kshuqe si vidio ju lutem mund ta fshini", shkruan polici për JOQ.
Ndërkohë duhet thënë se nëse JOQ ALBANIA s'do publikonte këtë video, Policia s'do bëhej kurrë e gjallë për përjashtimin e efekivit, konsumues droge, apo rrethanat e përjashtimit të tij që përbëjnë një skandal më vete.
Reagimi i Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, më datë 28.07.2025, në të cilën shfaqet një punonjës policie, i cili nga pamjet dyshohet duke konsumuar lëndë narkotike, dhe me pretendimin se Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë nuk ka reaguar, sqarojmë opinionin publik se:
Shtetasi i shfaqur në video është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, sqarojmë se punonjësi i Policisë Xh. T., para dhënies së masës "Përjashtim nga Policia", ka qenë në efektin e masës disiplinore "Shtyrje e afatit të gradimit për 3 muaj", dhënë me vendim nr. 29, datë 24.04.2025, për mosmbajtje të rregullt të uniformës së Policisë dhe sjellje jokorrekte ndaj eprorëve.
Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pasur në proces shqyrtimi/verifikimi dhe hetimi disiplinor punonjësin e Policisë, Inspektor Xh. T., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Seksionin e Rendit, Komisariati i Policisë Lezhë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, për shkelje disiplinore të parashikuar nga neni 121 “Llojet e shkeljeve disiplinore”, pika 1, gërma “j”, “Braktisja e detyrës dhe mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për një periudhë prej 7 ditësh pune ose më shumë”, dhe me vendim nr. 127, datë 03.07.2025, të Komisionit Disiplinor në Drejtorinë e Standardeve Profesionale, i është dhënë masa disiplinore “Përjashtim nga Policia”, parashikuar nga neni 123, gërma “e”, të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, punonjësi i Policisë gëzonte të drejtën për ta ankimuar vendimin në Komisionin e Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili më datë 25.07.2025, ka lënë në fuqi masën “Përjashtim nga Policia” për punonjësin e Policisë Inspektor Xh. T., të marrë me vendim nr. 127, datë 03.07.2025, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Pas publikimit të videos ku shfaqet punonjësi i Policisë Xh. T., i cili dyshohet se konsumon lëndë narkotike kokainë, nga ana e strukturave përgjegjëse të AMP-së dhe të Policisë së Shtetit, po kryhen verifikime të tjera, në funksion të të cilave do të referohen materialet në Prokurori, për ndjekje të mëtejshme procedurale.
Policia e Shtetit është e vendosur të largojë nga radhët e saj çdo punonjës policie që nuk përmbush detyrën, abuzon me atributet e punonjësit të Policisë së Shtetit dhe cenon imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.