Herë pas here Policia e Shtetit vendoset në qendër të vëmendjes për shkak të skandaleve në të cilat përfshihen anëtarë të ndryshëm të kësaj strukture.
Rasti i fundit ishte nënkomisari Ardian Isufi, i cili boksoi një kamarier 18-vjeçar në Vlorë vetëm sepse i ngatërroi porosinë dhe i dërgoi në tavolinë një shishe ujë më shumë.
Por duket se skandalet në polici nuk kanë fund. Së fundmi, JOQ Albania ka mësuar se një efektiv i komisariatit të Lezhës, konsumon kokainë dhe përdor armën e shërbimit në momentin që largohet nga shërbimi.
Në fakt, ky efektiv shkon shumë rrallë në komisariat, dhe në një rast është përjashtuar nga Policia për shkak të mungesave të shumta.
Bëhet fjalë për policin me inicialet Gj. T., nga Mirdita, i cili aktualisht është me shërbim në Lezhë.
“Kam një video të një punonjësi të policisë së Lezhës dhe dua t’jua dërgoj faqes suaj. Dua të jem anonim dhe pres një përgjigje nga ju. Gj. T., nga Mirdita, është polic në Lezhë dhe konsumon përditë kokainë.
Mungon në punë dhe se heq njëri nga puna. Para një jave e kanë hequr për mungesa në punë, por është futur përsëri se ka një polic në tiranë që e ndihmon.
Jepini drejtim kësaj pune se ky sa herë vjen i dehur merr armën duke e sjellur nëpër gishtat e dorës,” shkruan denoncuesi.
Kjo ngjarje ngre debate mbi standardet e përzgjedhjes së punonjësve të Policisë dhe seriozitetit që paraqesin individë të caktuar, të cilëve shteti u beson uniformën.
Si mund të mbahet në punë një efektiv policie i cili nuk paraqitet fare në komisariat, për më tepër konsumon lëndë narkotike dhe e përdor armën e shërbimit si një lodër në duart e tij?
Kush është përgjegjës për pranimin e këtij efektivi në Polici, dhe a do të merren masa që ky individ me sjellje aspak të zakonta të dalë para drejtësisë?
Këto pyetje por edhe të tjera, pritet t’i japin përgjigje institucionet përgjegjëse si Agjencia e Mbikqyrjes Policore që duhet të marrë masa të menjëhershme, dhe Komisariati i Policisë Lezhë që u beson armët dhe uniformën këtyre individëve që në rastin më të mirë prishin imazhin e Policisë, e në rastin më të keq përbëjnë rrezik për komunitetin.