Pas denoncimit në JOQ, bulqizaku “sypatrembur” gjobitet 1.2 mln lekë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 14.04.2025, 15:11

Vetëm një ditë pas publikimit nga JOQ Albania të videos së një të riu nga Bulqiza që kryente manovra të rrezikshme në rrugë me një automjet tip “BMW”, policia ka reaguar duke ndëshkuar 23-vjeçarin me inicialet Sh. D. me një gjobë prej 120,000 lekësh.

I riu “sypatrembur”, është shoqëruar në komisariat së bashku me automjetin e tij, i cili rezultonte me kolaudim të skaduar prej më shumë se një muaji. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në pamjet filmike vërehet se drejtuesi nuk ndodhej në vendin e duhur të shoferit dhe nuk mbante rripin e sigurimit, ndërkohë që kryente manovra të rrezikshme dhe lëvizte me shpejtësi të lartë, duke xhiruar gomat në rrugë publike.

Gjoba ndaj tij është vendosur në bazë të disa neneve: 170/1, 196/1, 139/3, 167/9, 139/8 dhe 79/10 të Kodit Rrugor.

JOQ Albania i bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjshmëri në rrugë, në mënyrë që të shmangen situatat e rrezikshme me pasoja të mundshme për jetën dhe sigurinë e të tjerëve.

Njoftimi i Policisë:

Bulqizë

Bëri drift me automjet, në qendër të banuar, ndëshkohet me masë administrative 120 000 lekë, 23-vjeçari.

Bazuar në një pamje filmike të postuar në rrjetin social "JOQ Albania", në të cilën shfaqet një automjet tip "BMW" duke kryer manovra të rrezikshme (drift), në qytetin e Bulqizës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë dhe ata të Policisë Rrugore menjëherë kanë kryer veprimet për identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të automjetit.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi Sh.D., 23 vjeç, banues në Bulqizë, është shoqëruar në Komisariat, bashkë me automjetin e tij.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Policisë Rrugore i'u vendos masa administrative 120 000 lekë, bazuar në nenet 170/1; 196/1; 139/3; ; 167/9; 139/8; 79/10, të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit