Denoncime të shumta nga punonjës të OSHEE: Miqtë e partisë vijnë vetëm për të marrë rrogën, barra na bie neve

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 11.04.2025, 19:29

Pas publikimit të denoncimit të bërë ditën e sotme nga një qytetare, punonjëse në OSHEE, e cila raportonte padrejtësi për sa i përket pagave ku disa punonjës kanë marrë rritje pagash deri në 66 mijë lekë, ndërkohë që punonjësit e tjerë, që mbulojnë zona më të mëdha dhe kanë më shumë abonentë, paguhen më pak, një tjetër punonjës i OSHEE-së, gjithashtu, ka reaguar duke denoncuar një tjetër problematikë brenda institucionit.

Ai ka thënë se shumë punonjës nuk shfaqen fare në punë, por vazhdojnë të marrin paga, ndërkohë që puna e rëndë bie mbi ata që janë të angazhuar realisht. Ky punonjës ka theksuar gjithashtu se ka një rritje të numrit të shefave të ekipit që nuk kanë asnjë njohuri për punën që bëjnë, duke shkaktuar frustrim dhe barrë të tepërt për punonjësit e tjerë.

“Na bëjnë presion dhe na nxjerrin në punë jashtë çdo kushti teknik, me kërcënimin se do na heqin nga puna,” ka thënë ai.

Kujtojmë ngjarjen e rëndë që ndodhi së fundmi në nënstacionin elektrik të Kuçovës, ku një elektricist ra nga shtylla gjatë punës. Viktima, Viktor Koraqe, 58 vjeç, pësoi dëmtime të shumta. Kolegët e tij ngritën shqetësime të forta për sigurinë e punonjësve në OSHEE dhe për moszbatimin e standardeve të sigurisë, duke i bërë thirrje institucioneve për të ndërhyrë urgjentisht.

Ata gjithashtu theksuan se punonjësit e OSHEE-së janë detyruar të kryejnë punë të rrezikshme për shkak të mangësive të kontratave dhe moszbatimit të tyre nga firma nënkontraktore. Këto denoncime dhe ngjarje shfaqin një problematika të shumta në brendësi të OSHEE-së, që kërkon veprime konkrete dhe të shpejta për të garantuar sigurinë dhe trajtimin e drejtë të punonjësve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit