Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar sot një raport ku detajon shkeljet e zyrtarëve të burgut ndaj një të arrestuari me varësi nga drogat, i cili vrau veten në qeli në fillim të muajit.
Organizata mbikqyrëse thotë në raportin mbi shkeljet e procedurave, se mjeku toksikolog nuk kishte përcaktuar medikamentin për t’i dhënë në të ndaluarit, edhe pse ai kishte deklaruar se ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe përpiqej të merrte trajtim mjekësor.
“Mjeku specialist toksikolog nuk kishte përcaktuar medikamentin që duhej të merrte, ndërsa mjeku i institucionit nuk e konsultoi më tej,” –thuhet në raport, teksa Greku kishte kërkuar disa herë Metadon, por i ishte dhënë vetëm qetësuesi Xanax.
46-vjeçari i arrestuar për disa vjedhje në Tiranë u gjet i vetëvarur në qeli dy javë më parë, siç dyshohet prej varësisë ndaj drogave ose zëvendësuesit të tyre sintetik Metadon, që jepet nga sistemi shëndetësor për të reduktuar dipendencën.
Një tjetër problematikë e evidentuar ishte mungesa e mbikëqyrjes së vazhdueshme.
“Nuk rezulton të jetë kontrolluar dhoma çdo 3-5 minuta, siç parashikohet nga procedurat,” thekson Komitet i Helsinkit, duke shtuar se butoni i ziles për komunikim me personelin nuk funksiononte”.
Komiteti i Shqiptar i Helsinkit kërkon më tej që Policia e Shtetit të krijojë grupe pune për vlerësimin e kushteve në dhomat e sigurisë dhe të hartohen protokolle të veçanta për trajtimin e të ndaluarve vartës ndaj lëndëve narkotike.
“Jeta e çdo njeriu është e shtrenjtë dhe duhet mbrojtur,” përfundon deklarata.
Donald Greku u gjet i vetëvarur me një copë rrobe që kishte grisur nga tutat që kishte veshur. Sapo e konstatoi njëri prej policëve, preu rrobën dhe menjëherë u njoftua urgjenca, të cilët pasi mbërritën në bllokun e Sigurisë, konstatuan se Donald Greku kishte ndërruar jetë.