Sot një 46-vjeçar që trajtohej me mjekime kundër varësisë nga drogat dha fund jetës në burgun e sigurisë në Tiranë, por gjithnjë e më shumë dyshime ngrihen për këto mjekime që u jepen të rriturve e të rinjve, që nuk duket se po i ndihmojnë në problemin e tyre por po i çojnë drejt të njëjtit fund.
Edhe pse prezantohet si një alternativë për t’u larguar nga heroina, përdorimi i metadonit renditet si i treti shkak që shkakton vdekje në botë, ndaj i dhënë në mënyrën e gabuar ai shkakton varësi njësoj si droga.
Përdorues të heroinës në Shqipëri kanë dëshmuar se pas largimit prej saj, kanë fituar një varësi po aq të rëndë ndaj metadonit që u jepet në qendrat e rehabilitimit ose me rekomandimin e mjekëve.
Metadoni është një substancë sintetike që zëvendëson nevojën e personit të varur nga opiatet dhe heroina, por shkakton mpirje të fortë, depresion, arrest të rrugëve respiratore e madje vdekje.
Në disa persona efektet fatale kanë ndodhur edhe me doza të vogla prej 30 mg por studimet thonë se edhe te personat që janë tolerantë ndaj opiateve kanë ndodhur efekte të rënda.
Individëve që u jepet metadon për dhimbjet zakonisht ndjejnë lehtësim për 4–8 orë, por substanca qëndron farmakologjikisht aktive për periudha shumë më të gjata, duke akumuluar toksicitetin.
Megjithëse individëve u jepet metadoni vetëm një herë në ditë, efektet e tij farmaceutike bashkëveprojnë me të tjera mjekime e qetësues, duke shtuar pasojat në pacientët e varur nga opiatet, shkruajnë mediat.
Edhe pse metadoni përdoret për të trajtuar varësinë, në disa raste, ai mund të shkaktojë një varësi të re dhe të përhershme. Kjo ndodh për shkak të veprimit të tij në sistemin nervor, i cili mund të krijojë një ndjenjë të ngjashme me euforinë që ndjehet nga përdoruesit e opioideve të tjerë.
Një nga efektet anësore më të rrezikshme të metadonit është mundësia e mbidozës. Përdoruesit që nuk ndjekin rregullat e dozimit të saktë ose përdorin metadonin në kombinim me substanca të tjera si alkooli ose sedativët, janë në rrezik të vdekjes nga mbidoza. Simptomat e mbidozës përfshijnë ngadalësimin e frymëmarrjes, humbjen e vetëdijes, dhe arrestit kardiak që shpesh mund të çojë në vdekje.