Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku shtetasi 46-vjeçar Donald Greku është gjetur i vetëvarur me një copë rrobe (pjesë tutash) në dhomën e tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:20, kur punonjësit e shërbimit gjatë një kontrolli rutinë konstatuan se i ndaluari kishte ndërmarrë aktin e vetëvrasjes.
Greku, i cili ishte i ndaluar për veprën penale të vjedhjes, kishte shprehur më herët se ishte përdorues i lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të mjekëve, ai ishte trajtuar me qetësuesin Xanax, ndërsa ishte në mbikëqyrje për shëndetin e tij, pasi nuk ishte i regjistruar si përdorues metadoni.
Rreth orës 00:50, gjatë kontrollit të parë, Greku nuk kishte shfaqur shqetësime, por në kontrollin e radhës rreth 30 minuta më pas, ai u gjet i vetëvarur. Pas një ndërhyrjeje urgjente nga punonjësit e policisë dhe shërbimit mjekësor, u konstatuan shenja të ndërrimit të jetës.
Policia ka nisur hetimet dhe do të vijojnë veprimet e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes.