Vijojnë hetimet mbi aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen e së mërkuës ku mbetën të vdekur katër të rinj.
Drejtuesi i betonieres, Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, është arrestuar në lidhje me ngjarjen. Ai punonte për kompaninë ‘Hel-Jon shpk’, e cila merret me prodhimin dhe tregtimin e betonit dhe është krijuar në vitin 2021.
Samir Hoxha, 27 vjeç, administratori i kompanisë, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka punësuar Krrashin pa i siguruar atij patentë për drejtimin e mjeteve të rënda, duke shkelur kështu rregullat e sigurisë në rrugë dhe në punë. Hetimet për shkeljet e mundshme të sigurisë dhe aktivitetin e kompanisë janë ende në vazhdim.
Samir Hoxha është djali i madh i Ruzhdi Hoxhës, një biznesmen i njohur, i cili u gjet i vrarë më 6 nëntor 2021 në Qafë Mollë.
Pas publikimit në media qytetarë kanë shkruar për redaksinë tonë se kompania ‘Hel-Jon shpk’ i ka punonjësit pa dokumentacionin përkatës, pa kontrata pune, sigurime shoqërore apo shëndetësore.
Gjithashtu është bërë e ditur se shoferi i betonierës që shkaktoi aksidentin nuk kishte patentë. Kjo kompani me administrator Saimir Hoxhën ka dështuar të sigurojë që shoferët e saj të jenë të licencuar dhe të kenë patentë, duke rritur rrezikun e aksidenteve dhe shkeljen e rregullave të sigurisë.
Betonierja ndaloi për shkak të mungesës së karburantit, një tjetër faktor që solli aksidentin e trishtë, që tregon dështimin në menaxhimin dhe sigurinë e kësaj kompanie.
Arratia e pronarit tregon një shmangie të mundshme nga përgjegjësitë ligjore dhe mund të ketë pasoja të tjera ligjore për kompaninë. Nëse ai është përgjegjës për menaxhimin e kompanisë dhe ka shmangur ligjin, kjo mund të nënkuptojë që kompania është duke vepruar në mënyrë të paligjshme.