“Ndalova se më mbaroi nafta!” Ky është shoferi i betonieres që shkaktoi në Fushë-Prezë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 21.03.2025, 11:27

Ky është 24-vjeçari Aleksandër Krrashi, shoferi i betonierës me të cilën u përplas automjeti tip Benz, ku po udhëtonin katër të rinjtë që humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur dje në aksin Vorë-Fushë Krujë.

Gjatë dëshmisë së tij para hetuesve, Krrashi ka deklaruar se në momentin kur po hynte në rrugën kryesore, mjeti i është fikur për shkak të mungesës së karburantit. Ai është larguar për të marrë naftë në një karburant pranë zonës, por ka harruar të aktivizojë bllokazhin e betonieres.

Hetimet kanë zbuluar se ai jo vetëm që nuk kishte ndezur bllokazhin, por nuk kishte vendosur as trekëndëshin e rrezikut për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë të mjeteve. Pas aksidentit, 24-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes me ndihmën e kushëririt të tij, Valentin Krrashi, 25 vjeç, i cili tashmë është arrestuar dhe akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ndaj Aleksandër Krrashit rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Në pranga ka përfunduar edhe menaxheri i firmës së prodhimit të betonit ku punonte Krrashi, Danjel Koxha, 34 vjeç. Ai akuzohet se nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar në të zezë një drejtues mjeti pa patentë.

Aksidenti tragjik u mori jetën dy vëllezërve, Enejdi dhe Erild Laçi, përkatësisht 25 dhe 20 vjeç, kushëririt të tyre Andi Laçi, 22 vjeç, si dhe mikut të tyre Endrikejd Kurti, 24 vjeç. Të rinjtë ishin nisur drejt Aeroportit të Rinasit për të pritur Erild Laçin, i cili po kthehej nga Gjermania, por fatkeqësisht nuk mundën t’i mbijetonin përplasjes fatale.

Shpejtësia e madhe dhe mungesa e fushëpamjes dyshohet të jenë shkaqet e aksidentit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit