Shoferi pa patentë i betonieres së tragjedisë, kishte ndaluar në errësirë pa ndezur bllokazhin

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 20.03.2025, 17:46

Mes detajeve të tragjedisë së vdekjes së 4 të rinjve mëngjesin e sotëm në Fushë-Pranë aeroportit të Rinasit, mësohet se drejtuesi i betonieres gjigante e kishte ndaluar në rrugë pa ndezur sinjalin e bllokazhit, duke e kthyer në një kurth të pashmangshëm vdekjeje.

20 vjeçari Erild Laçi sapo mbërriti në Rinas me një fluturim nga Gjermania, teksa në aeroport kishin ardhur ta merrnin vëllai i tij më i madh, Enejdi, 25-vjeçar, me kushëririn e tyre Andi Laçi, 22 vjeç, dhe mikun Endrikejd Kurti, 24 vjeç.

Të katërt të rinjtë gjetën tragjikisht vdekjen në përplasjen horror disa minuta pas nisjes, duke u lënë familjarëve e miqve të tyre të shtangur, vetëm kujtimet.

Pa asnjë shenjë frenimi në asfalt, të rinjtë dyshohet të mos e kenë parë mjetin e tonazhit të rëndë duke e goditur nga prapa me forcë, çka bëri që vetura të shpërthente në flakë.

Drejtuesi betonierës, 24 vjeçari Aleksandër Krrashi që nuk kishte patentë për drejtimin e mjetit të rëndë, fillimisht u largua nga vendngjarja, por u arrestua pas identifikimit. Policia ka ndaluar gjithashtu menaxherin e firmës Danjel Koxha, 34 vjeç i cili akuzohet se nuk kishte marrë masa për pajisjen e mjeteve të rënda me dokumentacion, dhe ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë së betonit që vepronte thuajse në informalitet të plotë.

Për fat të keq rasti reflekton një kulturë të gjerë shkeljesh të rregullave të sigurisë në kontraktorët e ndërtimit në Shqipëri, që përfitojnë nga korrupsioni në tendera për të shkelur çdo rregull e mos dhëne llogari, çka shoqërohet me pasoja gjithnjë e më të rënda.

Edhe një tjetër herë po nevojitet gjaku i të rinjve të pafajshëm për të zgjuar zyrtarët shqiptarë nga makutëria dhe korrupsioni, dhe menduar më thellë për pasojat e veprimeve të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit