Shoferë të shqetësuar raportuan sot për një ngushtim të rrezikshëm e pa sinjalistikë në Bypass-in e Vlorës nga kompanitë ndërtuese, që herët a vonë do të bëhet shkak për aksidente të rënda.
Në fund të videos së dërguar në redaksi, shihet sesi shfaqet papritur bllokimi i më shumë se gjysmë së gjerësisë së rrugës me një panel betoni, që shpejt mund të kthehet në një kurth vdekjeje, sidomos në kushte errësire.
Veprime të tilla të papërgjegjshme janë bërë shpesh shkaku i përgjakjes së rrugëve të Shqipërisë, nga kontraktorë që nuk arrijnë të mendojnë për sigurinë apo të mirën e udhëtarëve.
Ngushtimi shokues është raportuar edhe më herët nga shoferët e këtij aksi rrugor, që me të drejtë thonë se autoritetet “presin që rruga të lahet me gjak” para se të marrin masa.
Megjithëse 56 milionë € janë përfituar nga kompania e Bashkim Ulajt për ndërtimin e By-pass-it të Vlorës, ka patur vazhdiisht kritika për standardet e punimeve, ashtu si në vepra të tjera publike të kësaj kompanie, siç është rruga Thumanë-Kashar.
Punimet për ndërtimin e Bypass-it të Vlorës janë financuar nga Bashkimi Evropian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Evropiane e Investimeve (EIB), përmes një kontrate të menaxhuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
“Përshëndetje problemi në rrugën e by-pasit të Vlorës vazhdon. Firma që po kryen punimet ka ngushtuar rrugën dhe nuk ka vën sinjalizues me ndriçim për të paralajmëruar rrezikun dhe neve dje rrezikuam jetën në atë rrugë. Si ka mundësi që këta nuk duan tja din fare dhe jan të pa përgjegjshëm. Si mund të lihet një rrugë ashtu pa ndriçim dhe senjalizues? Nga të dyja anët përbën rrezik se ska senjalizues fare. Duhet të ndodhi ndonjë vdekje që këta të marrin masa?"
Në Bypass-in e Vlorës rruga ngushtohet për punime, firma kontraktore s’vendos sinjalistikë dhe ndriçim pic.twitter.com/bKDmaN8ias
— JOQ Albania (@JoqAlbania) February 17, 2025