Familjarët e 33-vjeçarit Paulin Zefi, i cili humbi jetën bashkë me bashkëshorten Zhkalina Hysi 3 ditë më parë pas një aksident, janë rikthyer sot në vendin e tragjedisë duke bërë apel ndaj autoriteteve për masa në aksin rrugor që është bërë burim ngjarjesh të rënda.
Paulini me bashkëshorten Zhkalina Hysi u përplasën me një kamion në aksin e rrezikshëm Lezhë-Shëngjin dhe u ndanë nga jeta më pas në spital.
Për fat të keq ngjarja u pasua nga një tjetër tragjedi në rrugë dy ditë më vonë, ku Zef Sinani ka mbetur i plagosur rëndë ndërsa e fejuara Megi Xhetani u vra nga përplasja me një kamion në aksin rrugor Prrenjas-Librazhd, pranë Pishkashit.
Sot mes dhimbjes e lotëve në sy familjarët ndezin qirinj në kujtim të Paulinit e gruas së tij, Zhaklinës, duke bërë thirrje të ndalohet masakra e rrugëve të rrezikshme në Shqipëri.
Xhaxhai i Paulinit i tronditur nga humbja e të afërmve, tha se ky aks ashtu si të tjera kërkojnë standarde sigurie për të shmangur këto ngjarje.
“Para dy ditësh kemi pësuar një humbje të madhe, kemi humbur nipin tonë Paulinin, bashkë me bashkëshorten. Përshëndes ata që kanë marrë pjesë në hidhërimin tonë, duke na ngushëlluar me mesazhe, duke na qëndruar pranë. Siç e shihni dhe ju, dhe në bazë të pamjeve që kam parë herë të tjera kam vënë re që kjo është një rrugë që i duhet kushtuar e vëmendje sepse shumicën e aksidenteve që kanë ndodhur në këtë segment rrugor shumica e aksidenteve ka qenë me pasoja të mëdha. Lus Zotin dhe iu kërkoj drejtuesve të mjeteve që të respektojnë normat se një veprim i gabuar prej tyre sjell pasoja të pashmangshme për ta, për familjen e tyre, por edhe një dhimbje që kurrë në botë nuk ka për t’u harruar. Ne sot që po flas jemi kthyer nga varrimi i dytë i nuses së Paulinit.”, tha mes të tjerash Sokol Zefi.