Në raportin e fundit të Ministrisë së Financave, buxheti për shëndetësinë për vitin 2025 parashikohet të pësojë një ulje të vogël në krahasim me shpenzimet totale, pavarësisht nevojave të shtuara për shërbime shëndetësore, të cilat lidhen me plakjen e popullsisë dhe rritjen e barrës së sëmundjeve kronike.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, shpenzimet buxhetore për vitin 2025 do të arrijnë në 822 miliardë lekë (rreth 8.2 miliardë euro), me një pjesë prej 80.7 miliardë lekësh që do t’i alokohet Ministrisë së Shëndetësisë. Ky buxhet përbën vetëm 9.8% të shpenzimeve totale të shtetit, duke shënuar një rënie në raport me vitin 2024, kur përqindja e shpenzimeve për shëndetësinë ishte 10.1% e totalit.
Kjo ulje e përqindjes vjen në një kohë kur sistemi shëndetësor përballet me kushte skandaloze e të vështira, ndërsa kërkesa për shërbime shëndetësore është rritur ndjeshëm për shkak të faktorëve të ndryshëm, përfshirë plakjen e shpejtë të popullsisë, rritjen e numrit të sëmundjeve kronike dhe infeksioneve, si dhe ndikimin e pandemisë së Covid-19 në sistemin shëndetësor.
Gjatë këtyre ditëve, JOQ ALBANIA ka denoncuar gjendjen skandaloze të spitaleve kryesore në vend, si Trauma në Tiranë dhe Materniteti i Durrësit. Por edhe spitali Rajonal i Elbasanit, si një ndër më kryesorët në vend përballet me të njëjtat kushte.
Një denoncim i mbërritur së fundmi në redaksinë tonë tregon qartë gjendjen e këtij spitali dhe kushtet skandaloze të banjove. Siç mund të shihet edhe në video, mbetjet e rrezikshme spitalore janë të vendosura në tualetet që përdoren edhe nga të sëmurët e familjarët e tyre dhe koshat e tyre nuk janë fare të mbyllur apo izoluar.
E sikur të mos mjaftonte kjo, bidetë e tualeteve janë të thyera dhe ndriçmi mungon në secilin prej tyre.
Pacientët por edhe familjarët e tyre thonë se këto kushte skandaloze vënë në rrezik shëndetin dhe ngrenë pikëpyetje për standardet e higjienës dhe kujdesit ndaj qytetarëve në këto institucione të rëndësishme kanë dhe buxhetin që marrin.