Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me drejtuesin e mjetit që mbrëmjen e së shtunës terrorizoi rrugicat e Durrësit me lëvizje të rrezikshme, përplasi automjetin e Policisë Rrugore, plagosi lehtë një efektiv dhe rrezikoi jetën e disa fëmijëve që po luanin në zonë.
Bëhet fjalë për 44-vjeçarin Rezart Abazaj, i cili pas testit të alkoolit rezultoi me 1.4 mg/l alkool në frymëmarrje, një nivel shumë i lartë, madje sipas raportimeve, dyfish më i lartë se ai i Nikoll Radaçit, shoferit të dehur që dy javë më parë shkaktoi tragjedinë ku humbën jetën dy fëmijë në Durrës.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr.15, në zonën e ish-Kënetës, ku patrulla e policisë konstatoi automjetin që lëvizte me shpejtësi dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugicat e lagjes. Sapo efektivët i bënë shenjë të ndalonte, 44-vjeçari tentoi të arratisej, ndërsa policia u vu menjëherë në ndjekje të tij me sirena të ndezura.
Siç raportuam më herët, gjatë tentativës për t’u larguar, shoferi bëri manovër mbrapsht dhe goditi automjetin e policisë, duke lënduar lehtë në kokë një efektiv të Policisë Rrugore. Sipas dëshmitarëve, përgjatë ndjekjes janë rrezikuar seriozisht edhe disa fëmijë që po luanin pranë zonës.
Ajo që e bën edhe më shqetësues rastin është fakti se Rezart Abazaj rezulton përsëritës për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Ai ishte arrestuar edhe më 5 mars të këtij viti pas një incidenti tjetër në rrugën “Vëllazërimi”, por pavarësisht kësaj, gjykata kishte vendosur ndaj tij masën “detyrim paraqitjeje”, duke e lënë sërish të lirë.
Ngjarja e së shtunës ndodhi vetëm pak rrugica larg vendit ku dy javë më parë ndodhi tragjedia që tronditi Durrësin dhe gjithë vendin, duke rikthyer edhe një herë debatin mbi rrezikun që sjellin shoferët e dehur dhe masat e buta ndaj përsëritësve.