Çmenduri në Durrës: Shoferi i dehur përplas patrullën, plagoset efektivin dhe rrezikon jetën e fëmijëve

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.05.2026, 22:23

Një ngjarje e rrezikshme që mund të kishte sjellë pasoja të rënda ka ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen nr. 15, në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Një drejtues mjeti në gjendje të dehur ka refuzuar t’i bindet urdhrit të Policisë Rrugore për të ndaluar, duke nisur një ndjekje të rrezikshme në rrugicat e lagjes, e cila përfundoi me përplasjen e automjetit të patrullës dhe lëndimin e një efektivi.

Gjithçka ka nisur kur patrulla e policisë ka konstatuar një automjet që po kryente manovra të dyshimta dhe të rrezikshme në zonë. Sapo efektivët i kanë bërë shenjë të ndalonte, shoferi rreth 40 vjeç ka shtuar shpejtësinë dhe është larguar me shpejtësi, duke tentuar t’i shpëtojë kontrollit nëpër errësirën e rrugicave të lagjes. Policia është vënë menjëherë në ndjekje të tij me sirena të ndezura.

Pas disa minutash ndjekjeje, drejtuesi i mjetit ka ndaluar për një moment dhe më pas ka bërë manovër të rrezikshme duke u futur mbrapsht, çka ka sjellë përplasjen me automjetin e patrullës së Policisë Rrugore. Si pasojë e goditjes, një efektiv ka mbetur i lënduar lehtë në kokë. Ai ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Durrësit dhe më pas është larguar në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dyshohet se përgjatë kësaj arratisjeje të çmendur, automjeti ka rrezikuar seriozisht edhe jetën e disa fëmijëve që po luanin në zonë.

Ndërkohë, drejtuesi i mjetit është neutralizuar dhe arrestuar në vendngjarje.

Ngjarja ndodh vetëm pak rrugica larg një tjetër episodi tragjik të ndodhur dy javë më parë në të njëjtën zonë, ku një shofer i dehur shkaktoi aksident fatal me pasojë vdekjen e dy fëmijëve dhe plagosjen e një tjetri, duke rikthyer sërish shqetësimin për sigurinë rrugore në zonë.

Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur edhe një denoncim nga një qytetar, i cili ka qenë dëshmitar i ngjarjes.

“Përshëndetje JOQ. Një person i alkoolizuar po kryente manovra shumë të rrezikshme në lagjen e ish-Kënetës. Policia rrugore e ndiqte me sirena të ndezura, por ai nuk ndaloi. Më pas ndaloi makinën dhe bëri manovër mbrapsht duke goditur edhe mjetin e policisë. Efektivi pësoi një dëmtim të lehtë në kokë, por jo shqetësues. Dua t’i falënderoj për reagimin e shpejtë, pasi shmangën një ngjarje që mund të kishte përfunduar shumë më keq”, shprehet qytetari.

Në një kohë kur drejtimi i mjetit në gjendje të dehur vijon të mbetet një rrezik serioz në rrugë, kjo ngjarje shërben si një tjetër alarm për pasojat e rënda që mund të sjellë papërgjegjshmëria në timon.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit