Pak ditë më parë, JOQ Albania publikoi apelin e një efektivi policie, i cili kërkonte të gjente personin që i ishte gjendur pranë në një moment të vështirë.
Polici rrëfente se, mëngjesin e së shtunës, kishte pësuar një aksident me motor në zonën e Casa Italia, në periferi të Tiranës. Në ato çaste kritike, një i ri i kishte dhënë ndihmën e parë, por për shkak të transportimit të menjëhershëm me ambulancë, efektivi nuk kishte arritur të merrte asnjë kontakt të tij, ndaj kërkonte ta gjente për ta falënderuar personalisht.
“Thjesht dua ta takoj për mirënjohje, edhe për të pirë një kafe me të. Është personi i parë që më ndihmoi dhe jam shumë falënderues,” – shprehej ai në mesazhin e tij, duke e cilësuar këtë si një kërkesë thjesht njerëzore.
Falë publikimit të apelit, historia ka patur një fund të bukur. Personi që i ka ardhur në ndihmë rezulton të jetë Marko Gjona, 25-vjeçari pjesë e shërbimit zjarrfikës, i cili vazhdon të tregojë se është një hero i vërtetë edhe kur s’ka veshur uniformën e punës. Vetë Marko ka treguar se atë mëngjes, rreth orës 08:00, ishte civil dhe po shkonte për në punë kur u përball me aksidentin, duke ndërhyrë menjëherë për të dhënë ndihmën e parë.
Ditën e sotme, polici Xhevahir ka mundur ta takojë Markon në Stacionin Nr. 3 të Zjarrfikëses së Tiranës në një takim plot mirënjohje e falenderime.
Kjo histori është një dëshmi e qartë se gjestet e mira nuk kalojnë pa u vlerësuar dhe se heronjtë e vërtetë janë mes nesh – si me uniformë, ashtu edhe pa të.
Mesazhi i Markos:
Pershendetje, sot u takuam te stacioni numer 3 i zjarrfikeses se Tiranes me Xhevahirin polici te cilit une i dhash ndihmen e pare. Dhe ju eshte shume falenderues se prej jush u be i mundur ky takim. Nuk kishte mundesu tju shkruante dhe prandaj ju shkruajta une
Nese doni mund dhe te beni nje postim. Ate dite qe e ndihmova isha civil dhe po shkoja per ne pune Ne mengjes ne oren 8