“Dua vetëm ta falënderoj dhe të pi një kafe me të”, polici kërkon të riun që i dha ndihmën e parë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.05.2026, 22:30

Një histori njerëzore, e thjeshtë por shumë domethënëse, ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një punonjës policie kërkon të gjejë personin që i qëndroi pranë në një moment të vështirë.

Efektivi tregon se dy ditë më parë, mëngjesin e së shtunës, ka pësuar një aksident me motor në zonën e Casa Italia, ndërsa ndodhej pas kësaj zone. Në ato momente, një i ri, që sipas tij punonte në shërbimin zjarrfikës, i gjendur aty rastësisht, i ka dhënë ndihmën e parë, duke u bërë personi i parë që i erdhi në ndihmë.

Në videon e dërguar për JOQ, ai shprehet se nuk ka arritur të marrë asnjë kontakt të tij, pasi më pas është transportuar me ambulancë, dhe tashmë dëshira e vetme është ta gjejë për ta falënderuar personalisht.

“Thjesht dua ta takoj për mirënjohje, edhe për të pirë një kafe me të, se është personi i parë që më ka ndihmuar. Jam shumë falënderues ndaj tij,” – shprehet ai.

Në mesazhin e tij, polici thekson se kjo është një kërkesë krejtësisht njerëzore, për të shprehur mirënjohjen ndaj dikujt që nuk e njihte, por që nuk hezitoi t’i gjendej pranë në një moment të vështirë.

Në një realitet shpesh të mbushur me lajme negative, kjo histori vjen si një kujtesë e thjeshtë se gjestet e mira nuk kalojnë pa u vlerësuar.

Nëse personi në fjalë e sheh këtë mesazh, ose nëse dikush ka informacion për të, ftohet të kontaktojë redaksinë, për të bërë të mundur këtë takim mirënjohjeje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit