Një histori e rëndë, që ka ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale dhe që ka kaluar në disa faza dramatike gjatë muajve të fundit, ka marrë tashmë një zhvillim të ri dhe shumë të rëndësishëm.
Bëhet fjalë për shtetasin shqiptar Violent Duçi (Duka), emri i të cilit u bë publik në gusht të vitit 2025 pas një denoncimi të transmetuar nga TVA News, ku një vajzë e re gjermane nga Hanoveri e akuzonte për përdhunim.
Sot, pas rreth 7 muajsh në paraburgim, Duçi ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania, duke deklaruar se është shpallur i pafajshëm nga gjykata në Gjermani dhe duke vënë në dispozicion dokumente zyrtare që provojnë pafajësinë dhe lirimin e menjëhershëm.
Sipas rrëfimit të tij të dërguar në video për redaksinë tonë, ai shprehet:
“Para 7 muajsh u akuzova padrejtësisht për një krim që nuk e kam bërë kurrë. U arrestova dhe kalova 7 muaj në burg, pa asnjë faj. Gjatë kësaj kohe humba gjithçka, humba lirinë time, humba qetësinë dhe madje u ndava nga gruaja ime. Sot jam i lirë, gjykata më shpalli të pafajshëm dhe e vërteta doli në dritë.”
Ai shton se muajt e kaluar në paraburgim i kanë shkaktuar dëme të rënda emocionale, psikologjike dhe familjare.
“Askush nuk ma kthen dot mbrapsht kohën që humba dhe vuajtjet që përjetova gjatë gjithë këtyre muajve në burg.”
Në mesazhin e dërguar në redaksinë e JOQ Albania, Duçi thekson se kjo periudhë ka qenë një nga më të errëtat e jetës së tij:
“Jam ndjerë i izoluar, i pasigurt dhe kam kaluar një periudhë të errët. Megjithatë, dua të theksoj se nuk kam bërë asgjë të keqe dhe e vërteta doli në dritë.”
Si nisi historia në gusht 2025
Ngjarja u bë publike fillimisht në muajin gusht 2025 përmes një denoncimi të publikuar nga TVA News, ku një vajzë gjermane pretendonte se ishte sulmuar seksualisht nga një shtetas shqiptar në Hanover.
Sipas dëshmisë së saj të asaj kohe, ajo kishte shkuar në banesën e 35-vjeçarit më 1 gusht, pasi njihej me të prej rreth një viti. Në rrëfimin e transmetuar, ajo pretendonte se ishte kapur nga fyti dhe më pas ishte përdhunuar.
Pas këtij denoncimi, autoritetet gjermane nisën hetimet, ndërsa më pas u raportua edhe arrestimi i tij.
Në atë kohë, JOQ Albania raportoi zhvillimet në bashkëpunim me TVA News, duke pasqyruar denoncimin dhe më vonë informacionin mbi arrestimin.
Çfarë thonë dokumentet gjermane
Dokumentet zyrtare të vëna në dispozicion nga Duçi dhe të analizuara nga redaksia lidhen me procedurat penale në Gjermani.
Dokumenti i parë, i datës 17 mars 2026, është një urdhër zyrtar nga Gjykata e Hannover-it që kërkon lirimin e menjëhershëm të Violent Duçit nga paraburgimi.
Sipas këtij dokumenti, gjykata urdhëron që ai të lirohet menjëherë nga burgu, ku ndodhej që prej 7 gushtit 2025, nëse nuk ekzistonin urdhra të tjerë arresti për çështje të ndryshme.
Ky dokument përbën zhvillimin më të rëndësishëm të çështjes, pasi konfirmon zyrtarisht fundin e masës së paraburgimit.
Dokumenti i dytë është një ankesë ligjore e paraqitur nga avokati i tij, Dimitrios Lolis, më 23 mars 2026.
Në këtë shkresë, avokati kundërshton vendimin fillestar të gjykatës për të mos i njohur dëmshpërblimin klientit të tij për muajt e kaluar në paraburgim.
Sipas dokumentit, avokati argumenton se klienti i tij është shpallur i pafajshëm (Freispruch) dhe, sipas ligjit gjerman për kompensimin në raste arrestimi të pajustifikuar, ka të drejtë të përfitojë dëmshpërblim nga shteti.
Më tej, në ankesë theksohet se nuk ka asnjë provë që Duçi të ketë manipuluar provat, të ketë dhënë deklarime të rreme apo të ketë shkaktuar vetë-arrestimin e tij.
Pikërisht për këtë arsye, avokati e cilëson vendimin për refuzimin e kompensimit si “të gabuar” dhe kërkon rishikimin e tij.
Procesi i dëmshpërblimit
Aktualisht, sipas dokumenteve dhe deklarimeve të bëra për redaksinë tonë, çështja ndodhet në procedurë për kërkesën e dëmshpërblimit ndaj shtetit gjerman.
Kjo do të thotë se, përtej shpalljes së pafajësisë dhe lirimit nga burgu, beteja ligjore vazhdon tashmë për kompensimin e dëmit të shkaktuar gjatë 7 muajve të kaluar në paraburgim.
Sipas Duçit, pasojat e kësaj historie kanë qenë shkatërruese për jetën e tij personale dhe familjare.
Ai thotë se gjatë kësaj periudhe humbi lirinë, qetësinë shpirtërore dhe përjetoi edhe ndarjen nga bashkëshortja.
Ngjarja pritet të ngjallë reagime të forta, sidomos për faktin se çështja fillimisht u bë publike me akuza shumë të rënda, ndërsa sot paraqitet një version krejt tjetër i historisë, i mbështetur në dokumente zyrtare gjermane.



