Një histori që pak ditë më parë preku zemrat e të gjithëve, sot vjen me një rreze të madhe shprese.
Vetëm pesë ditë pas ardhjes në jetë në Elbasan, vogëlushja Anaisi u përball me një sfidë të rrallë dhe të rrezikshme për jetën, një problem serioz në enët e gjakut që kërkonte ndërhyrje urgjente jashtë vendit. Ajo që duhej të ishte një fillim i mbushur me gëzim për familjen e saj, u kthye në ankth dhe lot, me prindërit që prisnin pa fuqi para dyerve të reanimacionit.
Por në këtë moment të vështirë, ndodhi ajo që shpesh e bën një popull të madh: solidariteti.
Pas publikimit të rastit nga JOQ Albania dhe përfaqsuesi i fondacionit Firdeus, Elvis Naçi, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit reaguan menjëherë. Brenda një kohe të shkurtër, u mblodhën fondet e nevojshme për trajtimin jetik të vogëlushes.
Anaisi është nisur për kurim jashtë vendit me avion të specializuar mjekësor, duke marrë me vete jo vetëm shpresën e prindërve të saj, por edhe dashurinë dhe mbështetjen e mijëra shqiptarëve.
Nga një dhomë reanimacioni plot ankth, drejt një rruge shprese, kjo është forca e humanizmit kur njerëzit bëhen bashkë për jetën.