24 orë pas publikimit në JOQ, IKMT Vlorë ndal punën e 2A Group në kodrën e Mifolit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.01.2026, 14:16

Denoncimet publike vazhdojnë të tregojnë se kur media bën detyrën e saj, institucionet nuk mund të qëndrojnë indiferente. Ditën e mërkurë, redaksia e JOQ Albania publikoi një denoncim serioz që ngrinte alarmin për një grabitje të hapur të pronës private në zonën e Novoselës, në lidhje me kompaninë 2A Group, në pronësi të Valon Ademit, kompani aksionere në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Sipas denoncimit të qytetarit, prej më shumë se një jave, fadromat e kompanisë 2A Group kishin pushtuar pronën e tij private, duke shkatërruar tokën dhe duke marrë dheun pa asnjë dakordësi apo dokument ligjor. Qëllimi i këtij veprimi ishte dërgimi i dheut drejt kantierit të Aeroportit të Vlorës, duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe duke cenuar hapur pronën private.

Megjithëse aktiviteti i paligjshëm po ndodhte prej ditësh, asnjë institucion nuk kishte reaguar deri në momentin kur rasti u bë publik nga JOQ Albania. Vetëm 24 orë pas publikimit, IKMT Vlorë u detyrua të dalë në terren, duke konstatuar se aktiviteti i kompanisë po kryhej pa asnjë leje të lëshuar nga organet kompetente.

Si pasojë, IKMT ka marrë vendimin për ndalimin e menjëhershëm të punimeve të kompanisë 2A Group, deri në një sqarim të plotë të situatës dhe verifikimin e ligjshmërisë së këtij aktiviteti.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit