2A Group e Valon Ademit grabit pronat për Aeroportin e Vlorës, shteti hesht

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 28.01.2026, 15:02

Një situatë alarmante vjen nga fshati Novoselë, ku banorët denoncojnë një grabitje të hapur të pronës private, në një vend ku shkelja e ligjit duket se është kthyer në normalitet.

Në emër të “zhvillimit”, toka e qytetarëve po trajtohet si pronë pa zot, ndërsa shteti hesht. Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë tonë, kompania private me origjinë kosovare A2 Group, në pronësi të Valon Ademit, ka hyrë pa asnjë të drejtë ligjore në tokat e banorëve të zonës, duke marrë masivisht dheun dhe duke e transportuar drejt kantierit të Aeroportit të Vlorës.

Ky veprim është kryer pa njoftim, pa leje, pa vendim shpronësimi dhe pa pëlqimin e pronarëve, duke përbërë një shkelje flagrante të së drejtës kushtetuese të pronës. Tokat në fjalë janë në pronësi të ligjshme të banorëve, të përfituara sipas ligjit 7501, një fakt që e bën edhe më të rëndë këtë ndërhyrje arbitrare. Nuk bëhet fjalë për keqkuptim administrativ, por për një akt të qëllimshëm, që ngre dyshime serioze mbi mënyrën se si “zhvillimi” po përdoret si alibi për abuzim

Deri ku shtrihet e drejta e projekteve publike, kur ato shkelin hapur pronën private? Dhe kush mban përgjegjësi kur shteti, në vend që të mbrojë qytetarin bëhet palë me kriminelin?

Aeroporti i Vlorës mund të shitet si simbol progresi, por çdo projekt humbet legjitimitetin moral kur ndërtohet mbi shkelje, frikë dhe grabitje. Tokat bujqësore të Novoselës nuk janë thjesht sipërfaqe toke, ato janë burim jetese, siguri ekonomike dhe dinjitet për dhjetëra familje. Akoma më shqetësuese është heshtja e institucioneve lokale dhe agjencive përgjegjëse.

Bashkia, e cila duhet të ishte mburojë për komunitetin, sipas banorëve ka zgjedhur të jetë pjesë e problemit, duke toleruar dhe lejuar ndërhyrje të paligjshme, në kundërshtim të plotë me ligjin. Ky rast nuk është një incident i izoluar. Ai është pasqyrë e një sëmundjeje kronike: ligji nuk vlen para oligarkëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit