Forca të shumta policie kanë zbarkuar prej disa orësh në ambientet e kompanisë “Evita” sh.p.k, në pronësi të biznesmenit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu.
Ky i fundit, vetëm pak ditë më parë, u shpall fitues i një tenderi me vlerë 1.6 miliardë lekë për furnizimin me materiale laboratorike që përdoren për kontrollin e gjakut dhe zbulimin e viruseve infektive.
Vetëm 42 orë pas publikimit të lajmit dhe denoncimit të pagesës së majme përmes një tenderi të dyshimtë, policia ka ndërmarrë veprime në ambientet e kompanisë së Allajbeut.
Kujtojmë se në këtë tender të shpallur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, me vlerë 1.6 miliardë lekë, fitues u shpall kompania “Pegasus” e Janis Karathano dhe “Evita” e Klodian Allajbeut edhe pse një kompani tjetër kishte ofruar 51 milionë lekë më pak, duke kursyer kështu fondet e shtetit.
Por si gjithmonë kjo tregon se në Shqipëri konkurrenca reale s’ka vend pasi shërbimet e rëndësishme publike, e kryesisht ato të shëndetësisë, janë kthyer në një monopol ku përfitues kryesor Klodian Allajbeu dhe Janis Karathano, ortakë në disa koncesione dhe tenderë miliardësh, përfshirë projektin e Laboratorëve, i cili kap vlerën totale prej 214 milionë eurosh.
Shërbime jetike për shëndetin publik vazhdojnë të përfundojnë në duart e të njëjtëve biznesmenë, ndërkohë që konkurrenca dhe interesat e qytetarëve mbeten të anashkaluara. Në një sistem që vuan nga mungesa e fondeve dhe pajisjeve, miliona lekë dhe euro mbeten të përqendruara tek pak individë, duke theksuar një problem të vazhdueshëm të tenderëve të dyshimtë dhe të paracaktuar.