Pas denoncimit që JOQ Albania publikoi ditën e djeshme nga një infermiere në Kukës, lidhur me mosdhënien e pagave të muajit dhjetor, një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë tonë, këtë herë nga një punonjës i Spitalit Rajonal të Vlorës.
Në mesazhin e dërguar, punonjësi shprehet se edhe pse sot është data 22 janar, rrogat ende nuk janë hedhur, ndërsa situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë për familjet e tyre.
“Sot është 22.01.2026 dhe punonjësit e spitalit nuk kanë marrë ende rrogat. Nuk e di si mund të vazhdojë kjo neglizhencë, ndërkohë që kemi kredi shtëpie dhe shumë halle të tjera. As sot nuk janë hedhur dhe me shumë gjasa do mbeten për javën që vjen. Prej vitesh nuk njohim as rrogë të 13-të, asnjë lloj shpërblimi, por edhe të mos marrim rrogën mujore nuk është normale,” – shkruan ai.
Ky denoncim vjen vetëm një ditë pas rastit të publikuar nga JOQ Albania, ku një infermiere nga Kukësi ngriti të njëjtin shqetësim, duke theksuar se punonjësit e shëndetësisë ndodhen në vështirësi financiare dhe po presin prej javësh pagesën e muajit dhjetor.
Deri më tani, sipas denoncuesve, nuk ka pasur asnjë sqarim zyrtar nga institucionet përkatëse lidhur me arsyet e vonesës së pagave, ndërsa punonjësit e shëndetësisë kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme të situatës.
JOQ Albania do të vijojë të ndjekë këtë çështje dhe mbetet e hapur për çdo reagim apo sqarim nga institucionet përgjegjëse.