Miliona euro me kripto e kompani fiktive në Shqipëri, sekuestrohen bizneset e spanjollit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 16.01.2026, 11:16

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur masën e sekuestros ndaj bizneseve dhe pasurive të shtetasit spanjoll Alvaro Romillo Castillo, i dyshuar si pjesë kyçe e një skeme të gjerë ndërkombëtare mashtrimi dhe pastrimi parash, nga e cila dyshohet se janë përfituar rreth 30 milionë euro. Në kuadër të hetimit janë sekuestruar dy pasuri të paluajtshme në Zonën Kadastrale nr. 1481 në Dhërmi, Vlorë: një tokë kullotë me sipërfaqe 13.66 hektarë në vendin e quajtur Kolia dhe një tjetër tokë kullotë me sipërfaqe 9.5 hektarë në vendin e quajtur Megali-Langadhea, si dhe shoqëritë “Wortend”, “Wingwort” dhe “Wortnova”, dy automjete (Toyota Land Cruiser dhe Mercedes Benz AMG G 63), si edhe të gjitha llogaritë bankare në bankat e nivelit të dytë ku mund të ketë llogari aktive.

Sipas hetimeve, babai i tij Domingo Romillo Iriarte dhe partnerja e këtij të fundit, Mihaela Munteanu Manole, dyshohet se kanë ndërtuar dhe drejtuar një skemë mashtrimi përmes krijimit të kompanive fiktive në disa shtete, përfshirë Spanjën, Portugalinë, Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republikën Dominikane dhe Estoninë, duke fshehur qarkullimin e parave dhe duke realizuar transferta financiare të dyshimta. Në territorin shqiptar, aktiviteti dyshohet se është kryer përmes shoqërisë “Wingwort” sh.p.k. dhe dy shoqërive të tjera të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me objekt veprimtarie në fushën e turizmit, menaxhimit të hoteleve, godinave dhe pasurive të paluajtshme, si dhe shërbime agjencie turistike. Këto shoqëri kanë lidhur kontrata shitblerjeje dhe kanë blerë pasuri të paluajtshme në Dhërmi me çmime dukshëm më të ulëta se vlera e tregut, përmes marrëdhënieve tregtare me shoqëri të huaja të regjistruara në Bullgari, Sllovaki, Malajzi (Labuan – zonë offshore).

Nga verifikimet rezulton se subjektet ushtronin të njëjtin aktivitet, kishin të njëjtën adresë dhe administratorë të njëjtë, ndërsa aktualisht figurojnë me status “pezulluar”, çka përforcon dyshimet për një aktivitet të përbashkët ekonomik dhe përdorim formal të shoqërive për fshehje dhe transferim të të ardhurave me origjinë kriminale, vepra që dyshohet se përbën “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, sipas nenit 287 të Kodit Penal. Domingo Romillo Iriarte është gjithashtu nën hetim nga Audiencia Nacional në Spanjë për mashtrim piramidal dhe pastrim parash, lidhur me aktivitetet e tij financiare ndërkombëtare dhe kompaninë Madeira Invest Club. Në qendër të skemës qëndron Alvaro Romillo Castillo, i njohur në rrjetet e koduara me pseudonimet “Luis” ose “Cryptospain”, i cili komunikonte me klientët përmes platformës Telegram, duke i bindur të investonin shuma që nisnin nga 1.5 milionë euro pa u identifikuar. Dy kompani të tjera, “Wortned” dhe “Wortonova”, u regjistruan në Tiranë në qershor 2024 në rrugën “Teodor Keko”, pa zhvilluar aktivitet real; “Wortned” ishte në pronësi të vetë Alvaro Romillo Castillo, ndërsa “Wortonova” figuron në pronësi të Mihaela Munteanu Manole, me administrator të përbashkët Domingo Romillo Iriarte.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit