Gjykata e Posaçme në Shqipëri ka urdhëruar sekuestrimin e dy kompanive shqiptare, “Wortned” dhe “Wortonova”, të krijuara nga grupi kriminal ndërkombëtar që dyshohet për mashtrim prej mbi 300 milionë eurosh nëpërmjet skemës “Madeira Invest Club”. Në qendër të kësaj afere që ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe më gjerë qëndron Alvaro Romillo Castillo, i njohur si “Luis” ose “Cryptospain”, i cili përdorte platformat e koduara për të mashtruar mbi 27 mijë persona, duke i bindur të investonin shuma të mëdha në kriptomonedha, me premtimin e fitimeve të menjëhershme.

Sipas Bold News, dy kompanitë e regjistruara në Shqipëri në qershor të vitit 2024, me adresë në zonën e “Teodor Keko” në Tiranë, figurojnë të kenë ndaluar aktivitetin përpara se Gjykata të vendoste sekuestro në fillim të tetorit. Administrator i të dy kompanive ishte babai i Alvaros, Domingo Romillo Iriarte, ndërsa pronësia ndahej mes Alvaros dhe një shtetaseje rumune. Hetimet ndërkombëtare zbuluan se grupi kishte krijuar një rrjet kompanish fiktive në disa vende për të kamufluar aktivitetin e paligjshëm.

Ndërkohë, në të njëjtën adresë në Tiranë është zbuluar edhe një kompani tjetër me aktivitet të ngjashëm dhe pronësi spanjolle, e cila ende nuk është vendosur nën sekuestro. Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar për përfshirjen e plotë të kompanive në Shqipëri në këtë skemë mashtrimi, ndërsa hetimet në Spanjë po thellohen për të identifikuar të gjitha lidhjet ndërkombëtare të rrjetit.
