Tjetër denoncim për BKT dhe vjedhje lekësh nga llogaria! Banka pranon dështimin

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.01.2026, 09:37

Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ lidhur me sigurinë zero në BKT. Një qytetar tjetër shprehet se hakerat i kanë marrë lekë nga llogaria bankare BKT. Ai tregon se paratë janë tërhequr pa dijeninë e tij, përmes transaksioneve të kryera jashtë Shqipërisë. Sipas tij, pavarësisht ankesave të vazhdueshme pranë bankës dhe bllokimit të kartës, situata është përsëritur sërish. Qytetari shprehet se banka nuk ka marrë përgjegjësi, duke ia faturuar problemin pagesave të lidhura me telefonin, ndonëse ai pretendon se nuk ka asnjë pagesë të tillë aktive.

"Përshëndetje. Këto janë disa përdorime të kartës time që janë bërë jashtë Shqipërisë pa dijeninë time. Kam kontaktuar me numrin e shërbimit të bankës, por ata nuk mbajnë përgjegjësi duke thënë që ndoshta janë pagesa që i keni të lidhura me Apple në telefon, por karta ime nuk është e lidhur me asnjë pagesë mujore ose online. Bëhet fjalë për BKT. Kanë tërhequr diku tek 50-60 mijë lekë. Brenda 4 muajve. Duke filluar që në korrik. Që në korrik e kam parë. Kam kontaktuar me bankën, më thanë blloko kartën dhe hapë përsëri. E hapa përsëri, ndodhi e njëjta gjë dhe pastaj më thanë që keni pagesa në telefon se nuk ka mundësi, po e kam parë me detaje dhe s’kam asnjë lloj pagese. Vetëm 1 herë kam bërë blerje online tek Shein dhe që atëherë më kanë filluar këto pagesat me kartën time jashtë Shqipërisë pa bërë asnjë veprim unë", shkruan qytetari.

Kujtojmë se dy ditë më parë JOQ publikoi një tjetër denoncim të ngjashëm nga një qytetar tjetër. Ai shkruante se karta bankare është përdorur në Shkup, ndërkohë që familjarët ndodheshin në Tiranë. Sipas denoncimit, banka është mjaftuar vetëm me përgjigjen që karta të ndërrohet, pa marrë asnjë përgjegjësi për humbjen e parave.

Lidhur me këto denoncime BKT në një reagim zyrtar ka pranuar dështimin dhe sigurinë zero që ka si bankë duke thënë se kartat e klientëve ishin klonuar përmes një bankomati në Tiranë.

"Dëshirojmë t’ju informojmë se BKT ka identifikuar dhe trajtuar në kohë një rast të izoluar mashtrimi përmes klonimit të kartave në ATM. Rasti prek një numër shumë të vogël kartash, të cilat janë bllokuar menjëherë. Të gjithë klientët e prekur janë kontaktuar dhe do të rimbursohen plotësisht. Siguria e fondeve dhe e të dhënave të klientëve mbetet prioritet absolut për BKT, dhe Banka vazhdon të investojë në sisteme të avancuara monitorimi dhe parandalimi për të garantuar standardet më të larta të sigurisë", shkruan banka në reagimin zyrtar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit