Donte të bëhej polic, por ngeli në testin psikologjik: Zbardhet dëshmia e 20-vjeçarit mashtrues

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.11.2025, 11:12

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me 20-vjeçarin Ervis Brasha, i cili u arrestua nga Policia e Tiranës pasi u kap në Kamëz i veshur me uniformë të Policisë së Shtetit.

Gjatë marrjes në pyetje, i riu ka deklaruar se është i apasionuar pas uniformës së policisë, dhe se pasioni për këtë profesion e ka shtyrë të krijojë kontakte me shumë oficerë të rendit.

Hetimet kanë zbuluar se Brasha ka punuar për rreth katër muaj në Policinë Bashkiake të Tiranës, por më pas është larguar nga puna dhe ka aplikuar për t’u pranuar në Akademinë e Sigurisë, ku nuk ka arritur të shpallet fitues, pasi ka ngelur në testin psikologjik.

Aktualisht, ai po hetohet për veprime të mundshme të paligjshme, megjithëse deri tani nuk ka pasur denoncime konkrete ndaj tij.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi katër dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara si të falsifikuara, një armë sportive të llojit pistoletë me dy krehra, një uniformë policie, 16 stema dhe grada të ndryshme, si dhe tre kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.

Sipas burimeve, Brasha ka deklaruar se i mbante të gjitha këto materiale në shtëpi për shkak të pasionit ndaj policisë, duke pretenduar se nuk kishte asnjë qëllim të keq apo veprim kriminal.

Ai kishte krijuar kontakte me punonjës të vërtetë policie, i shkruante atyre në rrjetet sociale dhe publikonte foto e video në institucione shtetërore, i veshur me uniformë. Ai madje ka hyrë edhe në ambientet e Akademisë së Sigurisë, duke filmuar brenda pa autorizim zyrtar, çka ka ngritur dyshime se mund të ketë pasur ndihmë nga persona të brendshëm.

20-vjeçari dyshohet se ka përfituar para duke kërcënuar qytetarë, por po hetohet edhe pista nëse është përdorur nga grupe kriminale për t’u shtirur si polic në veprime të paligjshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit