Ndërsa qytetarët vdisnin nën rrënoja, shteti numëronte like-t e JOQ Albania

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 24.10.2025, 15:27

Sot, do të kujtojmë ngjarjet skandaloze që pasuan tërmetin tragjik të 26 nëntorit 2019, me magnitudë 6.4 ballë, që shkatërroi banesa, mori jetë njerëzish dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Në vend që të përqendronte të gjithë strukturat shtetërore në shpëtimin e jetëve dhe ndihmën për të mbijetuarit, qeveria Rama 2, asokohe me Sandër Lleshajn ministër të Brendshëm dhe Ardi Veliun në krye të Policisë së Shtetit, drejtori i krimeve asokohe Tonin Vocaj, u angazhua në një fushatë absurde kundër medias së lirë. Platforma JOQ Albania, e cila publikonte denoncime qytetare për abuzimet me fondet e tërmetit, u shënjestrua menjëherë nga shteti.

Ndërsa qytetarët luftonin për jetën nën rrënoja, një drejtori i tërë Policie dhe eprorët e tij duket se ishin më të zënë duke numëruar komentet dhe like-t e JOQ Albania sesa duke u kujdesur për njerëzit që po vuanin. Më 28 nëntor 2019, vetëm dy ditë pas tërmetit, policia e shtetit shpalli në kërkim dy administratorët e JOQ, ndërsa një ditë më vonë, më 29 nëntor, AKEP bllokoi domain-in joqalbania.com për territorin e Republikës së Shqipërisë. Në tetor 2020, JOQ Albania publikoi dokumente që dëshmonin se drejtori të tëra policie ishin angazhuar jo për të shpëtuar njerëz, por për të ruajtur komentuesit dhe pëlqyesit e postimeve të JOQ Albania.

Oficerë si Genci Hysenaj, Artan Dashi dhe Gertian Brovina, në vend që të ndihmonin në operacionet e kërkim shpëtimit, përgjonin qytetarët që bënin like ose komente kundër qeverisë. Në procesverbalet e tyre, këta punonjës të paguar nga taksat e shqiptarëve përshkruanin me detaje ngjyrat e faqes së Google dhe numëronin pëlqimet e postimeve të JOQ Albania ndërsa njerëzit luftonin për jetën nën rrënoja. Si të mos mjaftonte kjo, më 30 nëntor 2020 u mbyll edhe faqja e JOQ Albania në Facebook, një përpjekje e qartë për të heshtur çdo zë të vërtetë. Kjo censurë ka mbetur një njollë e zezë që dëshmon se në Shqipëri, institucionet shtetërore, përdorin pushtetin për t’i mbyllur gojën medias së shqiptarëve.

Fakti që një drejtori e tërë policie dhe një shtet, merrej me stalkimin e qytetarëve në rrjete sociale, është dëshmi se shteti kishte dhe ka humbur çdo ndjenjë përgjegjësie dhe humanizmi. Sot, gjashtë vjet më pas, ky episod duhet të shërbejë si kujtesë e hidhur për atë që ndodh kur institucionet paguhen jo për sigurinë e qytetarëve, por për t’i frikësuar ata që guxojnë të flasin. Por në gjithë këtë luftë, armata e JOQ Albania ka qenë populli shqiptar, Zoti dhe e vërteta, ndaj ka mundur të qëndrojë dhe të vazhdojë të denoncojë të vërtetën. Falë shqiptarëve, jemi këtu ku jemi dhe do të kalojmë çdo sulm, sepse e vërteta dhe liria e fjalës nuk mund të mbyllen nga askush.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit