“Polici i ‘Shqiponjave’ rrezikoi jetën për të kapur kriminelin Gila, por shteti e përjashtoi nga vlerësimi”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 16.10.2025, 14:16

Avokatja Brunilda Jaho i është drejtuar JOQ me një denoncim publik për klientin e saj, një efektiv të forcave Shqiponja në Shkodër, i cili luajti rol kryesor në operacionin për kapjen e kriminelit Ragip Gila. Ndërsa kolegët e tij morën çertifikata mirënjohjeje në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ai u përjashtua plotësisht, pavarësisht se rrezikoi jetën në terren gjatë arrestimit të Gilës.

Sipas avokates Jaho, kjo përjashtim është hakmarrje e pastër, pasi efektivi ka denoncuar në mënyrë të përsëritur pranë AMP-së, Sindikatës së Policisë, Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit, abuzimet dhe padrejtësitë e drejtuesve të Policisë së Shkodrës. Aktualisht, ndaj Drejtorisë së Policisë është ngritur një proces gjyqësor administrativ për shkelje të të drejtave të tij si punonjës.

Vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që paraqitet si nderim është në fakt një masë disiplinore e kamufluar, për të cilën është paraqitur ankim në Gjykatën Administrative. Ky rast tregon qartë se në Shqipëri ndëshkohet guximi dhe integriteti, ndërsa shpërblehen ata që heshtin.

Denoncimi i avokates:

Përshëndetje JOQ! Jam avokatja Brunilda Jaho dhe dua të bëj një denoncim publik në lidhje me një klient timin, punonjës policie i forcave “Shqiponja” në Shkodër. Sot, në Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, janë thirrur disa efektivë për t’u vlerësuar me çertifikata mirënjohjeje, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në qytetin e Shkodrës, për kapjen e autorit të krimit Ragip Gila. Dua të bëj me dije se klienti im ka qenë pjesa kryesore aktive në atë operacion, që çoi në kapjen e autorit, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën, por nuk është thirrur dhe as përfshirë në vlerësim, pavarësisht kontributit të tij të padiskutueshëm. Ky përjashtim përbën një hakmarrje të qëllimshme ndaj tij, pasi ai ka denoncuar në mënyrë të përsëritur pranë AMP-së, Sindikatës së Policisë, Ministrit të Brendshëm dhe deri te Kryeministri, abuzimet dhe padrejtësitë e kryera nga disa drejtues të strukturave të Policisë së Shkodrës. Aktualisht ndodhemi në një proces gjyqësor administrativ kundër Drejtorisë së Policisë, për shkelje të të drejtave të tij si punonjës. Është për të ardhur keq që, në vend që të vlerësohet puna, guximi dhe sakrifica reale në terren, institucioni po përdoret për përjashtime selektive dhe hakmarrje personale. Bashkëlidhur ju dërgoj edhe vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që lidhet me këtë ngjarje. Në lidhje me vendimin e mësipërm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dua të theksoj se ai nuk përbën për ne një favor apo nderim, pasi në atë masë disiplinore, ku drejtori shfaqet sikur “tregohet bujar”, ne kemi paraqitur ankim dhe e kemi kundërshtuar në Gjykatën Administrative. Ne i qëndrojmë deri në fund pretendimeve tona për një masë administrative të kundërligjshme dhe të padrejtë ndaj klientit tim, ndaj edhe jemi tashmë në proces gjyqësor për këtë çështje. Nëse sot janë thirrur për t’u vlerësuar efektivë pjesë e atij operacioni, ndërsa për klientin tim është mjaftuar vetëm ky vendim që maskon një masë të padrejtë nën petkun e nderimit, kjo është plotësisht e papranueshme dhe fyerje për përkushtimin e një punonjësi që ka rrezikuar jetën në detyrë. Siç thotë dhe populli: “Jepi Cezarit atë që është e Cezarit.” Në këto kushte, ne nuk do të heshtim, sepse heshtja ka një kufi, dhe e drejta duhet kërkuar e mbrojtur me dinjitet, ashtu siç e garanton Kushtetuta. Faleminderit nëse mund ta bëni publike këtë rast, që qytetarët të kuptojnë si shpërblehet padrejtësisht sakrifica e njerëzve që mbrojnë rendin dhe jetën e të tjerëve.

Ragip Gila, është autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në Shkodër të 8 shtatorit, me dy viktima dhe dy të plagosur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit